Buçkovski në Sofje: Vij si mik! Zaharieva me porosi: Hiqni dorë nga manipulimet

TË FUNDIT

Një ditë pas vendosjes së vetos nga ana e Bullgarisë në Këshillin e ministrave të vendeve anëtare të BE-së, Vllado Buçkovski shkoi në Sofje. Ai para disa ditësh u emërua përfaqësues special i qeverisë së Maqedonisë në negociatat me Bullgari. Siç tha ai, as ai e as Zaharieva nuk mund ta ndryshojnë historinë e përbashkët, por mund të punojnë për përmirësim të së ardhmes.

“Jam i sigurt se e kemi bindur ministren Zaharieva dhe ekipin e saj se jemi të gatshëm të zbatojmë Marrëveshjen për miqësi dhe bashkëpunim. Kërkojmë instrumente, nëse është “bileta për udhëtim” besoj se do të mund të jetë  mjet ku do të matim arritjet në periudhën që kemi para. E pranojmë se ka rënë besimi”, tha Buçkovski.

Se besimi është prishur akuzoi edhe Zaharieva, e cila theksoi se për këtë është fajtore pala maqedonase.

“Dëshiroj të theksoj se padrejtësisht quhet veto. Kjo është mosmiratim i kornizës negocuese”, tha Zaharieva.

Zaharieva thotë se gjëja e vetme që kërkojnë është respektimi dhe plotësimi i Marrëveshjes për miqësi të vitit 2017. Por edhe heqja dorë nga insistimi i pabazë për pakicë maqedonase në Bullgari, ndërsa porosit që të ndalohet me manipulimet dhe desinformatat në Shkup për pozitën e Bullgarisë.

Dje Qeveria për herë të parë doli me kumtesë zyrtare pas vetos së Bullgarisë.

“Identiteti maqedonas nuk ishte, nuk është dhe është e pamundshme të jetë lëndë e  negociatave.   Populli maqedonas dhe gjuha maqedonase janë shtyllat e identitetit maqedonas. Ata burojnë nga e kaluara, ndërsa njëkohësisht janë shtyllat e  së ardhmes sonë evropiane. Për fat të keq, procesin e zgjerimit si qëllim strategjik i BE-së e ndaloi Republika e Bullgarisë si anëtare e BE-së”, thonë nga Qeveria.  

Pas seancës së djeshme të Këshillit për punë të përgjithshme të ministrave të vendeve anëtarë, nesër duhet të mbahet Këshilli Evropian e shefeve të shteteve anëtarë. Megjithatë, nuk ka pritshmëri  të mëdha se Bullgaria do ta ndryshojë qëndrimin e saj. Së bashku me Maqedoni edhe Shqipëria mbetet e bllokuar për fillim të negociatave.