Buçkovski kërkon që opozita të ndihmojë për kontestin

TË FUNDIT

Dhjetori është shans i fundit për këtë vit që Maqedonia e Veriut t’i nisë bisedimet me Bashkimin Evropian, konsideron i dërguari i posaçëm, Vllado Buçkovski.

 “Mendoj se pikërisht Zaevi është ai i cili na solli kaq afër gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi dhe arriti ta tërheqë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar brenda 3-6 muajve të fundit, që të ushtrojë presion jashtëzakonisht më të madh mbi Bullgarinë”, tha Buçkovski.

Buçkovski konsideron se dorëheqja e Zaevit në mënyrë shtesë do t’i komplikojë punët me fqinjin tonë. Beson se ky është një “injeksion” shtesë që edhe ata që ishin më kokëfortë të fillojnë të mendojnë më racionalisht.

 “Nëse tërhiqet një politikan i tillë ballkanik me sjellje evropiane dhe në qoftë se në rajon sërish japim hapësirë që t’i rikthehemi nacionalizmit dhe ndarjeve, e nuk shikojmë përpara, atëherë mendoj se do të kemi probleme më serioze se dorëheqja e Zaevit nga posti i kryeministrit”, shtoi Buçkovski.

Opozita është ajo e cila duhet të ndihmojë në zgjidhjen e procesit me Bullgarinë, nënvizon Buçkovski, duke shtuar se Mickoski pas rezultateve zgjedhore është bërë më i matur në deklaratat e tij.

 “Mendoj se nuk mjafton ndihma që është dhënë për ta sjellë Deklaratën në Kuvend, por ajo duhet të bëjë edhe një hap që të krijohet atmosferë, sepse besoj se Mickoski pas këtij rezultati do të bëhet më i moderuar në deklaratat e tij”, potencoi Vllado Buçkovski.

I dërguari i posaçëm dhe ish-kryeministër i Maqedonisë, në emisionin “Klik Plus” të TV21 shtoi se duhet të hapet debat serioz për futjen e komunitetit bullgar në Kushtetutën e vendit.