Ndërsa italianët bëhen gati t’i drejtohen qendrave të votimit, institucionet evropiane po ndjekin me vëmendje atë që po ndodh në ekonominë e tretë të bllokut. Lufta në Ukrainë, kriza e energjisë dhe politikat e emigracionit kanë gjasa të përcaktojnë marrëdhënien e Italisë me bllokun.
“Është një vend i madh, me një ekonomi të madhe dhe që ka fjalën e tij në politikat evropiane. Për këtë arsye ajo që ndodh në Romë ka një impakt direkt në Bruksel dhe dinamika e negociatave për politikat e mëdha të BE-së varet nga kush është në pushtet në Romë”.
Disa nga kandidatët për kryeministër, si Enriko Letta nga Partia Demokratike, Giuseppe Conte nga Lëvizja 5 Yjet dhe Silvio Berlusconi nga Forza Italia e kanë mbajtur këtë post në të kaluarën. Ndërsa Matteo Salvini nga Liga e Veriut dhe Giorgia Meloni nga Vëllezërit e Italisë, e konsideruar ylli në ngjitje i koalicionit të djathtë, mund ta kenë risi.
Edhe pse kohët e fundit ata i kanë zbutur tonet, analistët në Bruksel thonë se perceptohen ende si më euro-skeptikët në rastin më të mirë dhe më anti-evropianët në rastin më të keq.
“Sa i takon ekonomisë dhe emigracionit, ndoshta ata do të prishin konsensusin këtu në BE, ose do t’i bëjnë kompromiset dhe vendimmarrjet më të vështira. Dhe natyrisht, nëse shohim shembullin e Polonisë, Hungarisë dhe radikalëve të tjerë në qeveri, sundimi i ligjit dhe demokracia vihen në dyshim. Ky është një problem për gjithë BE-në”.
Zyrtarët e BE-së nuk mund të bëjnë komente mbi çështjen, por gjerësisht besohet se blloku e pret me ankth ardhjen e një qeverie të re, të paparashikueshme, sidomos kur bëhet fjalë për një vend anëtar.
“Pikërisht në rastin e Italisë, mendoj se burokracia dhe e ashtuquajtura flluskë e Brukselit do të ndiheshin më mirë me qeveritë e kaluara të qendrës së majtë të spektrit politik italian, me të cilin janë mësuar të negociojnë”.
Një qeveri e drejtuar nga një parti e djathtë ka gjasa të jetë më nacionaliste se ato të mëparshme dhe më e vendosur të diskutojë rregullat fiskale të BE-së. Ndërsa një qeveri e majtë mund të ofrojë pikëpamje mbi politikat më konsensuale me qarqet vendimmarrëse të Brukselit. Megjithatë, cilido që do të jetë kryeministër, edhe atij do t’i duhet të përballet me Evropën.
