Bruksel: Përfundon takimi Mustafa-Vuçiq me "përafrim të qëndrimeve"

TË FUNDIT

Dy kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiq, si dhe delegacionet e tyre u takuan sonte në Bruksel për të biseduar në kuadër të dialogut të nivelit të lartë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Takimi i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, nuk prodhoi ndonjë marrëveshje, sado që kjo e fundit e përshkroi atë me tone pozitive.

“Në takim të dyja palët u fokusuan në progresin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, në veçanti në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë dhe fillimin e zbatimit të aranzhimeve për Mbrojtjen Civile”, tha Mogherini pas takimit që u mbajt në zyrën e saj.

Sipas diplomates evropiane, të dyja palët shkëmbyen pikëpamje në çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin në energji, telekom dhe formimin e Asociacionit (të Komunave Serbe).

“Në këtë aspekt, ata u pajtuan të ndërmerren hapa konkretë në periudhën deri në takimin tjetër të dialogut”, u shpreh Mogherini.

Në të njëjtën vijë, edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha që takimi i sotëm ishte për ta përcaktuar agjendën e temave që dotë trajtohen në të ardhmen.

“Po punojmë që institucionet e Kosovës sa me shpejtë të veprojnë në plotësinë e tyre ne pjesën veriore të vendit. Të gjendet zgjidhje për kodin telefonik, lëvizjen mbi urën e Ibrit, energjetiken. Të gjitha këto zgjidhje do të jenë në dobi të qytetarëve tanë, të të gjitha etnive, dhe ura qe na lidhin me familjen evropiane”, tha Mustafa pas takimit.