Britania ndalon rrjetet sociale për nën 16-vjeçarët

TË FUNDIT

Britania e Madhe do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit nën 16 vjeç dhe do të vendosë kufizime në platformat e lojërave dhe transmetimeve të drejtpërdrejta.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ndryshimet do të pasqyrojnë vlerat e vendit, në mbrojtjen e fëmijëve online.  Sipas tij, ky vendim do i bëjë fëmijët më të sigurt, më të lumtur dhe do u japë më shumë liri e mundësi për t’u rritur.

Përveç ndalimit të faqeve të tilla si TikTok, Snapchat dhe Instagram, Britania do të ndërmarrë veprime kundër shërbimeve të lojërave dhe transmetimeve të drejtpërdrejta që u lejojnë fëmijëve të flasin me të huaj.

Qeveria tashmë ka kompetencat për të ndërmarrë hapat e parë në çdo ndalim, me rregullore që do të pasojnë deri në fund të vitit dhe një ndalim që do të hyjë në fuqi rreth pranverës së ardhshme.

Britania e ka ashpërsuar gjithnjë e më shumë qasjen e saj ndaj kompanive të teknologjisë në vitet e fundit, duke i nxitur ose detyruar ato të imponojnë verifikimin e moshës, të përshtasin algoritmet e tyre dhe, së fundmi, të parandalojnë fëmijët nga qarkullimi i imazheve nudo të bëra në telefonat celularë.

Londra ndjek kështu shembullin e Australisë, e cila ishte vendi i parë që ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, duke i bllokuar ata dhjetorin e kaluar nga platformat SI TikTok, YouTube dhe Instagram dhe Facebook.