Studiuesit e tregut të punës në Britaninë e Madhe ia atribuojnë Brexit-it disa nga mungesat e rënda të punonjësve në Britaninë e Madhe. Kështu thuhet në një studim të publikuar sot.
Sipas studimit, pandemia dhe fakti që shumë punëtorë kanë vendosur të dalin në pension më herët se zakonisht janë arsye të tjera të mungesës. Kësaj i shtohen mungesat specifike për sektorë të caktuar. Vitin e kaluar, për shembull, mungesa e shoferëve të kamionëve bëri që raftet e supermarketeve mbetën pjesërisht të zbrazëta dhe pikat e karburanteve nuk furnizoheshin dot me karburant.
Megjithatë, është e vështirë të veçohen efektet e përfundimit të lëvizjes së lirë nga veçoritë e tjera të tregut të punës pas pandemisë, shpjegojnë studiuesit. Sipas tyre, kur punëdhënësit kanë vështirësi të rekrutojnë personel të mjaftueshëm, shpesh ka disa faktorë që kombinohen. Tendencat afatgjata, si rritja më e ulët e pagave, për shembull, i bëjnë disa profesione më pak tërheqëse.
Në fusha të tilla si gastronomia apo logjistika, punëdhënësit britanikë dikur mbështeteshin shumë te BE, thotë studimi. Tani ata kanë vështirësi të mëdha në plotësimin e vendeve të punës.
Numri i falimentimeve të restoranteve në Britani u rrit me pothuajse dy të tretat (64 për qind) vitin e kaluar, siç analizoi së fundmi në një vlerësim firma e auditimit UHY Hacker Young. Nëse në vitet 2020/21 u paraqitën për falimentim 856 restorante (deri më 31 mars), për vitin e ardhshëm parashikohen 1406 të tillë.
Restorantet më të vogla në veçanti po vuajnë nga fakti se nuk janë më në gjendje të punësojnë me lehtësi punonjës nga BE-ja, tha partneri i UHY, Peter Kubik.
