Borrell: Sulmet në Lviv tregojnë se asnjë pjesë e Ukrainës nuk është e sigurt

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian ka dënuar raundin e fundit të sulmeve ruse në qytetet e Ukrainës, duke thënë se bombardimet e fundit në Ukrainën perëndimore tregojnë se asnjë pjesë e vendit nuk është e sigurt.

“Ukraina po goditet nga sulmet më intensive me raketa nga Federata Ruse prej javësh. BE dënon granatimet e vazhdueshme dhe të paligjshme të civilëve dhe infrastrukturës civile nga forcat e armatosura ruse”, ka thënë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Zyrtari evropian shtoi se sulmet e fundit në Lviv dhe “qytetet e tjera në Ukrainën perëndimore tregojnë se asnjë pjesë e vendit nuk është e kursyer nga sulmi i pakuptimtë i Kremlinit”.

Borrell gjithashtu ka thënë se BE-ja vazhdon të mbështesë hetimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës në Ukrainë dhe i bëri thirrje Rusisë edhe një herë që “të ndërpresë menjëherë dhe pa kushte armiqësitë dhe të tërheqë të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake” nga vendi./21Media