Bashkimi Evropian (BE) pret që Kosova dhe Serbia të mos zhvendosin ambasadat e tyre në Izrael, nga Tel Avivi për në Jerusalem, deklaroi Xhosep Borrell, nënkryetar i Komisionit Evropian dhe shefi i diplomacisë së BE-së.
Në përgjigjen e një pyetje parlamentare, Borrell deklaroi se ai priste që Kosova dhe Serbia “të vepronin në përputhje me angazhimet e BE-së”, por gjithashtu në përputhje me aspiratat e tyre evropiane.
“Pozicioni i kahershëm i BE-së është se negociatat duhet të gjejnë mënyrë për të zgjidhur statusin e Jerusalemit si kryeqyteti i ardhshëm i të dy vendeve dhe se aspiratat e të dy palëve duhet të përmbushen”, tha Borrell duke shtuar se “çështja e Jerusalemit është çështje për status përfundimtar”.
“Në përputhje me Rezolutën 478 të Këshillit të Sigurisë të vitit 1980, e cila u bën thirrje të gjithë anëtarëve të KB-së të zhvendosin ambasadat e tyre në Tel Aviv të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së si dhe të delegacionit të BE-së në Izrael janë të vendosura në Tel Aviv”, shpjegoi Borrell.
Ai kujtoi se si Kosova ashtu edhe Serbia e kanë identifikuar integrimin në BE si përparësinë e tyre strategjike.
“BE-ja pret që të dy do të veprojnë në përputhje me këtë angazhim”, tha shefi i diplomacisë së BE-së duke përsëritur se Serbia pritej që “gradualisht të përputhte legjislacionin dhe politikat e saj me procesin e pranimit në BE drejt vendeve të treta me legjislacionin dhe politikat e BE-së”.
