Borisov uroi Zaevin për rizgjedhjen e tij si Kryeministër

TË FUNDIT

Kryeministri bullgar Bojko Borisov ia ka uruar Zoran Zaevit fitoren zgjedhore dhe rizgjedhjen për kryeministër të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kumtoi pres-shërbimi qeveritar në Sofje.

“Bullgaria pa u lodhur përpiqet për të drejtën e qytetarëve të Republikës të Maqedonisë së Veriut të bëhen pjesë e familjes evropiane”, tha kryeministri Bojko Borisov në urimin për homologun e tij”, transmeton Bgnes.

Borisov theksoi se Bullgaria mbetet e qëndrueshme për të  mbështetur  të ardhmen evropiane të fqinjit  të saj më të afërt, të nxitur nga besimi se procesi i inkuadrimit  në BE do të jetë shtytës i rëndësishëm për reformat dhe stabilitetin.

Kryeministri bullgar potencon se kur ai dhe Zaev personalisht e firmosën Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim  më 1 gusht të vitit 2017, ata  jo vetëm që hapën  kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve bilaterale, por edhe i treguan botës se vendet e rajonit janë mjaft të guximshme, të afta dhe ambicioze vetë t’i zgjidhin problemet e tyre.

Në urimin deri te Zaev, Borisov shton se të dy vendet duhet të mbesin  përgjegjëse dhe të përkushtuara në plotësimin e qëllimeve të vendosura në vitin 2017 me marrëveshje të nënshkruar.

“Në atë frymë, sinqerisht shpresoj se Komisioni  i përbashkët multidisiplinar  i ekspertëve për çështje historike dhe arsimore së shpejti do t’i vazhdojë  aktivitetet e tij  dhe se anëtarët  e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të tregojnë qëndrim konstruktiv dhe përkushtim të qartë të arrihet  pajtim për çështjet që diskutohen”, shton Borisov.