Përgjime të reja vazhdojnë të publikohen në internet. Në një profil anonim në rrjete sociale së fundmi është publikuar një video 40 sekondëshe ku deputeti Pavle Bogoevski dëgjohet se si porosit lëndë narkotike.
“Po, është zëri im që dëgjohet në atë video, dhe po, në po të njejtën unë flas për substancë që për fat të keq ende nuk është e lejuar. Por nuk flas për kokainë siç thonë, por bisedoj për vaj kanabisi të cilin tashmë disa muaj e marr për nevoja mjekësore të një personi shumë të afërt dhe që vetëm vaji i kanabisit mundej t’i ndihmojë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë deri sa të ketë nevojë”, theksoi Pavle Bogoevski, deputet.
Bogoevski thotë se rastin do ta denoncojë tek autoritet për përgjim të paligjshëm. Po kush e përgjoi? Ai vetë dyshon se e ka incizuar një taksist para rreth 2-3 muajsh. Por përgjigjen se pse u publikua e gjen tek kundërshtarët politikë.
“Kjo video publikohet disa ditë para se të debatohet për mandatin e Nikolla Gruevskit, ndërsa shfrytëzuesi e ka përmendur lokacionin në Budapest”, potencoi deputeti, Pavle Bogoevski.
Deri më tani, i njëjti profil në rrjete sociale ka publikuar disa përgjime, publikimi i të cilave tanimë përbën vepër të ndaluar penalisht.
Nga Prokuroria Publike Themelore i thanë TV21 se ata bashkë më Ministrinë për Punë të Brendshme po i ndjekin informacionet që lidhen me videot e publikuara. Nga PPTH thonë se e kanë udhëzuar MPB-në të ndërmarrë masa për zbulimin e identitetit të personit që i publikon videot në rrjete sociale. Sapo ta mësojnë identitetin, nga PPTH thonë se do të nisin përndjekje penale ndaj autorit.
E pyetëm Ministrinë e Brendshme se deri ku janë me hetimin dhe kush po publikon “bomba” të reja, por deri ën këtë edicion informativ, nga atje nuk janë përgjigjur.
Përgatiti: Besir Arifi
