Me moton “Boll mo” qytetarët do të protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike për 7.4%. Nga Këshilli organizativ thonë se pritet që diku rreth 2000 persona të shprehin pakënaqësinë e vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, duke marshuar nga sheshet e qyteteve deri në objektet e EVN-së. Protesta zhvillohet prej në ora 19:00.
“Të gjithë ata qytetarë që ndjehen të nënçmuar, të përbuzur, të vjedhur, të zhvatur, të mashtruar, të manipuluar nga ky trajtim jokorrekt, qoftë i kompanisë, qoftë i autoriteteve që i shërbejnë kompanive, mendoj se të gjithë ata qytetarë sot duhet të jenë në sheshet e qyteteve të tyre”, tha Arianit Xhaferi nga Këshilli Organizativ.
Nëpërmjet kësaj proteste të qetë pritet realizimi i 4 kërkesave. Anulimi i shtrenjtimit të rrymës dhe ulja e çmimit për 20%, sjellje korrekte të kompanisë ndaj qytetarëve kur kanë ankesa, zhbërjen e KRRE dhe e katërta, krijimi i një trupi të pavarur në shërbim të qytetarëve për të verifikuar cilësinë e shërbimeve që këto kompani japin tek konsumatorët. E nëse brenda 10 ditësh nuk anulohet vendimi për shtrenjtimin e rrymës, protestat do të radikalizohen.
“Nëse brenda atij afati kohor këto çështje nuk adresohen dhe nuk zgjidhen, atëherë do t’i hapet rrugë radikalizmit dhe përgjegjësinë, për këtë do ta marrin ata të cilët nuk do t’i marrin parasysh kërkesat, sepse ata janë njerëzit që duhet t’i zgjidhin. Atëherë ata do të përballen me radikalizëm, me dhunë, me model bullgar, me model serb, e nuk e di ¬çfarë modeli tjetër mund të shpikim”, theksoi Arianit Xhaferi nga Këshilli Organizativ.
Rritja e çmimit të energjisë elektrike do t’i prekë seriozisht qytetarët, veçanërisht më të varfërit, sepse pjesa më e madhe e buxhetit të tyre shkon për faturat e energjisë elektrike, thotë eksperti ekonomik Branimir Jovanoviq. Sipas tij, ajo që irriton më së shumti është se kjo bëhet për t’i plotësuar kërkesat e kompanive të mëdha të energjisë që realizojnë përfitime të larta.
“Për kë punojnë ato institucione? Për kë punon Komisioni Rregullator i Energjetikës? A punon për kompanitë monopole apo për qytetarët dhe interesin e qytetarëve? Kjo duhet të pyesim. E dyta: është shumë me rëndësi se u tha se ne kemi rrymë më të lirë në Evropë. Kjo absolutisht nuk është e vërtetë, sepse duhet ta shohim çmimin e rrymës proporcionalisht me të ardhurat e njerëzve. Ne kemi edhe rroga më të ulëta në Evropë, rroga mesatare është 400 euro në muaj. Kështu që nëse e krahasoni çmimin e rrymës te ne me pagat në vendin tonë, atëherë do të shihni se ne e kemi rrymën ndër më të shtrenjtat në Evropë”, u shpreh Branimir Jovanoviq, ekspert ekonomik.
Me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duket se vendi ynë edhe më tej do të jetë i ranguar lart nga Eurostati. Të dhënat e vitit 2019 nga ky institucion ndërkombëtar, tregojnë se ne rangohemi të katërtit në Evropë me rrymën më të shtrenjtë në raport me pagën mesatare. Në top dhjetë shtetet gjendet edhe Sllovenia, Portugalia, Çekia, Kroacia, Lituania dhe Polonia.
Partitë politike në reagimet e tyre për shtrenjtimin e rrymës kanë hedhur vetëm akuza mbi njëra-tjetrën.
