Boksieri shqiptar Nelson Hysa me tjetër fitore në ringun profesionist

TË FUNDIT

Boksierët shqiptarë vijojnë me hapa të vegjël, por të sigurt, të ngjisin shkallët e karrierës së tyre si protagonistë. Një i tillë është është edhe Nelson Hysa, i cili ka korrur suksesin e tij të radhës në ringun rajonal dhe atë ndërkombëtar. Në fundjavë, në kryeqytetin e Malit të Zi, në Podgoricë, sportisti i peshës së rëndë zhvilloi ndeshjen  e tij të radhës dhe ka korrur kështu fitoren e 8-të në boksin profesionist, nga të cilat 6 fitore i ka me “knock-out”.

Duhet theksuar se ndryshe nga ndeshjet e tjera të boksit profesionist, që janë 6 raunde, ndeshja e Hysës ishte programuar me 10 raunde, sepse ndeshjet për titull janë mbi 8 raunde. Fitorja e djeshme, e arritur falë një paraqitjeje të shkëlqyer, i dha Hysës një prej titujve të rëndësishëm ndërkombëtar, titullin amerikan të boksit UBF (Ju-Bi-Ef. Vlen te permendet se boksieri shqiptar e mbizotëroi duelin që në raundin e parë, duke qenë bindës përballë kundërshtarit, boksierit kolumbian, Huan Kamilo Novoa.

Ndeshja u mbyll në raundin e 3-të me një “knock-out” teknik të boksierit shkodran, i cili vijon kështu ecurinë e tij të mirë në ringun profesionist. Që nga maji i vitit të shkuar, Hysa ka korrur 8 fitore radhazi ndaj kundërshtarëve ndërkombëtarë, teksa e fundit ishte ajo ndaj kenianit Vikapita Meroro, e arritur gjithashtu me “knock-out” në raundin e 3-të në mbrëmjen “Grushti i Hekurt”, që u mbajt në Tiranë para 3 javësh.