Për të paktën 15 projekte të tjera në të njëjtën mënyrë kam dhënë përkrahje dhe këtë vetë unë do ta denoncoj nëse dhënia e përkrahjes paraqet vepër penale, tha në fjalët e saj hyrëse Frosina Remenski.
Sipas Prokurorisë, Remenski ka marrë pjesë në takimet për projekt –ndërtimin e Qendrës evropiane për persona të moshuar me çka i ka mashtruar biznesmenët të cilët kanë paguar pothuajse 1 milion, ndërsa deri në fillimin e ndërtimit ata duhej të paguanin edhe kaq.
“Vetë kualifikimi që PP-ja ua ka dhënë një pjesë e dëshmitarëve, flet për mosnjohje të elementeve të vërteta të veprës penale – dhënie të ndihmës, përkundër mospasjes së përshkrimit të dhënies së ndihmës për të cilën akuzohem”, tha Frosina Remenski, e akuzuar.
I akuzuari i parë, Bojan Jovanovski tha se këto projekte janë ofruar edhe në qeverinë e Gruevskit, por atëherë nuk ishin realizuar. Pensionistja Todoroviq ka ardhur me rekomandim të zv/kryeministres Milla Carovska.
“Në procedurën dëshmuese do të dëgjoni se si Milla Carovska, pensionisten me projektin e dërgon tek unë. Ndërsa biznesmeni Ardian Amzovski, nëse nuk e kishte parë Aleksandar Kiracovskin, nuk do ta pranonte projektin”, deklaroi Bojan Jovanovski, i akuzuar.
Zv/kryeministrja aktuale Milla Carovska i demanton, siç i quan ajo, gënjeshtrat nga ana e Bojan Jovanovskit e cila paralajmëroi padi për shpifje.
“Zonja të cilën e përmend Jovanovski në deklaratën e tij, as nuk e njoh e as kam bashkëpunuar ndonjëherë me të. Deklarata e Jovanovski është e pasaktë dhe paraqet sulm direkt ndaj reputacionit dhe dinjitetit tim, andaj do t’i ndërmarr të gjitha masat juridike”, theksoi Milla Carovska, zv/kryeministre.
Fjalë hyrëse dha edhe Jasna Ercegoviq Mandiq e cila si zëvendës kryetare e Lidhjes Ndërkombëtare është akuzuar për dhënie të ndihmës në mashtrimin dhe larje parash.
“Cilat janë veprimet e mia që janë kualifikuar si krim dhe cilat aktivitete të mia e kanë shkaktuar mashtrimin? Asnjë veprim i imi, asnjë aktivitet i imi nuk kanë të bëjnë me këto kualifikime”, potencoi Jasna Ercegoviq Mandiq, e akuzuar.
Ajo tha se ky projekt ka vlerë emocionale për të, duke treguar detaje se në qendrat evropiane për persona të moshuar, kompanitë Pelister dhe Drim Bilding duhej të punësonin të paktën 20 persona me pengesa ndërsa një pjesë e kapaciteteve t’ua jepnin komunave.
Për shkak të pushimeve verore në gjyqësor, gjykimi për këtë rast do të vazhdojë pas një muaji, më 26 gusht. Gjykatësja Sofçe Gavrillova Efremova paralajmëroi se do t’i thërrasin biznesmenët Siljan Miceski dhe Ardian Amzoski si palë të dëmtuara, që të tregojnë nëse kanë ndonjë kërkesë për pronë – juridike. Më tutje ata do të dëgjohen edhe si dëshmitarë në këtë rast.
