Gjithçka filloi me tubimin për mbështetje të popullit palestinez kundër bombardimit nga Izraeli. Me dashje apo jo, Petar Bogojeski nuk e ka parë flamurin maqedonas në këtë protestë, edhe pse ishte aty. Pastaj filloi me një sërë sulmesh mbi bazë religjioze, duke porositur se do të nxitë procedurë për sjellje të një ligji me të cilin do të ndalohet përdorimi i burkave. Akuzonte njerëz nga sektori joqeveritar se janë islamistë radikalë dhe xhihadistë. Tani, kryetari i partisë politike “Koncepti Maqedonas” Petar Bogojeski thotë se ka nxitur gjuhë të urrejtjes vetëm për një eksperiment hulumtues shoqëror. Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes, kundër tij do të hapë procedurë disiplinore, për të cilën ai nuk është në dijeni.
Petar Bogojeski: “Mua nuk mund një ministër më të ndalojë se çka të bëj në shtëpinë time”.
Gazetarja: Ju jeni fytyrë publike dhe politikan.
Petar Bogojeski: “Unë pajtohem, por unë nuk flas në emër të Ministrisë së Mbrojtjes”.
Gazetarja: Por, ju punoni atje.
Petar Bogojeski: Para Ministrisë përgjigjem vetëm kur jam në Ministri dhe për detyrat që i kryej në Ministri. Aktivizimi im politik është anash nga profesionalizmi im. A ka qëndruar ministrja Shekerinska pas këtyre grupeve xhihadiste?
Ministria e Mbrojtjes për TV21 tha se është ngritur procedurë për përcaktim të përgjegjësisë disiplinore për paraqitjet publike të Petar Bogojeski, në pajtueshmëri me Ligjin për Nëpunësit Administrativë, Kodeksin për nëpunësit administrativë dhe Kodeksin etik të të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatën.
“Ministria e Mbrojtjes nuk toleron asnjë lloj diskriminimi, kurse nëpunësit administrativë në paraqitjet publike në rrjetet sociale ose në ndonjë formë tjetër të komunikimit, duhet të japin shembull për sjellje adekuate dhe të denjë”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Në profilin e tij të Facebookut, Bogoevski më së shumti e kritikoi Mersiha Smailoviqin. Ajo tha se ai qëllimisht po përhap diskriminim fetare dhe racore për të marrë pika politike. Shton se nëse ka dashur të bëjë eksperiment hulumtues social për atë duhej ta lajmëronte Ministrinë e mbrojtjes, atë por edhe familjen e saj.
“Më së shpeshti në raste të këtilla, të punësuarit i njoftojnë punëdhënësit e tyre që të dinë se në rast të ketë procedurë siç është rasti tani, ata bëjnë hulumtim, dhe kjo është gjëja themelore për të filluar një hulumtim të cilin tani është evidente se e përdor si alibi. Se nuk bëhet fjalë për hulumtim të zakontë flet fakti se ai më bën tag në publikimet e tij duke shkaktuar reagime të shumta”, u shpreh Mersiha Smailoviq.
Nga sektori joqeveritar thonë se përgjegjësi për përhapjen e urrejtjes duhet të ketë.
“Nuk mund ta shmangni përgjegjësinë nëse i vëni flakë një shtëpie e pastaj gjatë hetimit të deklaroni se keni bërë eksperiment social”, theksoi Xhabir Deralla nga Civil.
Përhapja e gjuhës së urrejtjes dënohet me ligj. Deri te MPB-ja çdo ditë arrijnë dhjetëra denoncime për deklarata ksenofobike nga grupe të ndryshme të qytetarëve.
