Ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski nuk e di saktë nëse autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë në afatin e paraparë në fund të këtij viti. Si duke ju shmangur pyetjes, tha se në këtë autostradë po punohet me intensitet dhe se pjesët që do përfundojnë do të lëshohen për qarkullim.
“Ne i bëjmë të gjithë presionet që realizuesit ta bëjnë punën e vet pasi që institucionet punën e vet e kanë kryer. Ne i bëjmë presionet që të lëshohet autostrada në atë pjesë që është gati. Do të përfundon kyçja tek aeroporti në Ohër dhe ashtu do të vazhdohet me çdo pjesë që do të jetë gati, në bazë të standardeve që të jenë të sigurta dhe të lëshohen në përdorim.”- deklaroi Bllagoja Bocvasrski, ministër i Transportit.
Ndërsa sipas zëvendëskryeministrit Artan Grubi, në mes të shtatorit do fillojnë punët në teren për Korridorin 8, në Debresh të Gostivarit.
“Jemi duke e rehabilituar Korridorin 8, në mes të shtatorit do të fillojnë punët nga kompania “Behtel & Enka”, me shpërthimin e parë, i cili do të ndodh në Gostivar dhe do u ftojmë që bashkërisht ta ndjekim edhe atë ngjarje.”- tha Artan Grubi, Zëvdnëskryeministër i Parë.
Funksionarët shtetërorë sot në Tetovë mbikëqyrën punët që janë duke u bërë në rehabilitimin e kësaj autostrade, ndërsa Drejtori i “Rrugëve shtetërore” Ejup Rustemi paralajmëroi modernizimin e pikave pagesore në Zhelinë dhe Gllumovë.
