Blloku opozitar me thirrje të përbashkët: Menjëherë të vendosen në votim ndryshimet kushtetuese!

TË FUNDIT

Ndryshimet kushtetuese të vendosen në votim menjëherë. Nëse nuk kalojnë, të shpërbëhet Parlamenti. Kjo ishte thirrja të cilën së bashku e dërguan tre partitë opozitare e quajtur bllok opozitar, Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike. Ata kërkojnë nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi që në rend dite t’i vendosë edhe amandamentet për heqjen e 20% për gjuhën shqipe nga Kushtetuta, si dhe amendamentin kundër vjetrimit të lëndëve të korrupsionit politik.


“Kërkojmë nga kryetari i Kuvendit që urgjentisht ta hedhë në votim nevojën për ndryshimin e Kushtetutës, që ta kalojmë fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese dhe të futemi në procesin përmbajtësor të këtyre ndryshimeve. Pas kësaj, i bëjmë thirrje atij që të mos fshihet pas arsyetimeve të pabaza, por t’i vë në procedurë edhe amendamentet për heqjen e emërtimit ofendues “20%” për gjuhën shqipe, si dhe amendamentin kundër vjetrimit të lëndëve të korrupsionit politik”, tha Afrim Gashi – Kryetar i Alternativës.

Kjo thirrje e bllokut opozitar vjen pas informacioneve të cilat i shpalosi vet Afrim Gashi në SummerClick të Tv21, se shumica parlamentare dëshiron t’a zvarritë debatin brenda Kuvendit, për shkak se nuk kanë siguruar ende 80 vota. Por a janë zgjedhjet e parakohshme zgjidhje për të ardhmen e vendit? Zëvendës kryeministri i parë Artan Grubi, tha se të gjithë deputetët e përbërjes parlamentare duhet t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese sepse prej tyre Maqedonia e Veriut nuk pëson asgjë.

Absolutisht zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Zgjidhja e vetme e mirë për ju, për ne, për të gjithë qytetarët dhe gjithë shtetin tonë, për gjithë rajonin tonë, është të veprojmë për ndryshimet kushtetuese dhe t’i mbështesim në mënyrë konsensuale. Edhe LSDM, edhe BDI, edhe Aleanca edhe VMRO-DPMNE. Të gjitha partitë politike të cilat janë pjesë e Kuvendit tonë. U pa se ndryshimet kushtetuese janë teknike,  se nuk prekin fare identitetin maqedonas, se nuk prekin fare gjuhën maqedonase dhe se nga ndryshimet kushtetuese nuk do të shohë askush të keqe”, pohoi Afrim Gashi – Kryetar i Alternativës.

Për seancën e nesërme edhe Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit ka bërë thirrje që të vendoset për shpërbërje të Kuvendit dhe në afat të 60 ditëve të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përndryshe Gashi në konferencë nuk zbuloi nëse shtatë deputetët e përbashkët të tre partive të tyre do t’i votonin ndryshimet në formën siç janë momentalisht.