“Bllokoje urrejtjen, shpërndaj dashuri”, gjuha e urrejtjes më e ashpër në rrjetet sociale

TË FUNDIT

Me këtë mural ku shkruan shpërndaj dashuri, nxënësit e gjimnazit “Josip Bros Tito” përcjellin mesazh për ndërprerjen e përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Aleksandar Karatosho ambasador i ri evropian nga komuniteti “We Balkans” thotë se gjuha e urrejtjes është shumë pranishme në Maqedoni, ndërsa më e theksuar dhe agresive është në rrjetet sociale.

“Rrjetet sociale janë burim i madh i gjuhës së urrejtjes, aty njerëzit ndihen më rehat sepse janë pas ekranit, pas tastierës dhe ndihen komod që të shkruajnë gjithçka, që normalisht po të kishin qenë ballë për ballë nuk do ta kishin thënë të njëjtën. Pra komoditeti i lejon që të jenë më agresiv dhe më shumë të shprehin urrejtje që normalisht nuk do ta bënin, pra rrjetet sociale janë shumë të rëndësishme në këtë proces”, theksoi Aleksandar Karatosho, ambasador i ri Europian.

Edhe Ognen Janeski i angazhuar si ambasador për parandalimin e gjuhës së urrejtjes vlerëson se sulmet më të mëdha dhe urrejtja realizohen online, ndërsa pre e kësaj dukurie negative më së shumti janë gratë.

“Gjuha e urrejtjes online është në nivel aq të lartë saqë njeriu pyet veten se a do që të funksionojë online, kur shihni se vazhdimisht ballafaqoheni me sulme të llojit të ndryshëm, posaçërisht te gratë, ku gjuha e urrejtjes është e orientuar kah gratë, për shembull te ne në gazetari aq shumë është e përhapur saqë koleget tona tërhiqen nga rrjetet sociale, pikërisht për këtë. Kjo duhet të ndalet“, Ognen Janevski, prezantues.

Për aktorin Besfort Idrizi më e rëndësishme është që fillimisht ta njohim gjuhën e urrejtjes me qëllim që ta parandalojmë dhe ta sanksionojmë, që të mos bimë preh.

“Ajo çfarë është më keq është se shpesh nuk jemi të vetëdijshëm për gjuhën e urrejtjes, nuk e vërejmë atë, kjo është ajo që më shqetëson më shumë, për arsye se në të shumtën e rasteve edhe ne jemi viktima të gjuhës së urrejtjes dhe atë nuk e dimë dhe anasjelltas edhe ne vetë mund të shprehim gjuhë të urrejtjes, por edhe këtë nuk e dimë”, theksoi Besfort Idrizi, aktor- regjisor.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të fushatës “Blloko urrejtjen – shpërndaj dashuri” nga ana e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.