Bllokohet magjistralja Strugë-Qafë Thanë, struganët kërkojnë rikonstruim urgjent të rrugës

TË FUNDIT

Ndonëse në shi, kjo nuk i ndali struganët të protestojnë për gjendjen e keqe të magjistrales Strugë-Qafë Thanë. Banorët e fshatit Ladorisht, Frëngovë, Fjerisht, Kalisht, Zagraçan, Shum, Teferiç e bllokuan rrugën magjistrale, duke kërkuar që e njëjta të rikonstruktohet sa më shpejtë sepse është shkatërruar dhe përbënë rrezik si dhe u shkakton dëme materiale. Premtime janë dhënë disa herë, por punë nuk është bërë aspak, thonë ata.

“Jemi këtu për të bllokuar rrugën dhe ta vëmë në dijeni qeverinë se te kjo rrugë duhet të vendoset një shtresë e re sepse dëmton automjetet të cilat kalojnë, është rrugë ndërkombëtare dhe duam të shtohet”.

“Kalova me veturë aty rashë në gropë e përplasa makinën te varret e Ladorishtit aty, kush do e paguajë atë, se paguan as sigurimi as askush”.

“Është premtuar se do të asfaltohet kjo rruga, gjithmonë thonë në mars, në gusht, në shtator, në Dhjetor gjithmonë japin premtime boshe, gropat gjithmonë hapen ka pasur edhe aksidente të shumta, sidomos prej Shqipërisë sepse ata nuk i njohin dhe nuk i dinë gropat ku janë, ka pasur mjaft aksidente dhe dëme të mëdha”.

“Autoritet na kanë lajmëruar disa herë se do të filloj do të filloj, mirëpo populli këtu gjithmonë është duke pritur dhe kjo është një shenjë proteste me mirëkuptim, nuk ka asnjë anë politike, por është për të gjithë komunitetet që jetojnë këtu”.

Protesta zgjati rreth 30 minuta dhe pastaj rruga u zhbllokua. Për këtë çështje edhe TV21 ka raportuar disa herë dhe nga autoritet janë dhënë afate të ndryshme kohore për rikonstruksion të së njëjtës.

“Kjo është rruga Strugë-Qafë Thanë e cila lidh Maqedoninë me Shqipërinë. Kjo rrugë është e mbushur me gropa andaj banorët u mblodhën sot për të protestuar dhe kërkojnë me ngulm që kjo rrugë të rikonstruohet meqë ka gropa të mëdha dhe është e prishur. Banorët kërkojnë që problemi të zgjidhet sa më shpejtë, ata thonë se i kanë kontaktuar autoritet disa herë por deri më tani nuk është ndërmarrë asgjë. Salije Sadiku, TV21, Strugë”.