Bllokada e Kuvendit në raportin e Komisionit Evropian! Gir për klubet bullgare: Nuk do ta interpretoj historinë

TË FUNDIT

Euroambasadori Dejvid Gir shmangi që të përgjigjet nëse hapja e klubeve bullgare me emrat e figurave kontrovers është provokim për Maqedoninë. Incidentet e shkaktuara me formimin e shoqatave dhe klubeve me emrat e figurave të cilët gjatë historisë  kishin ndikim negativ në vend, duket se janë mundësi e mirë që të akuzohet Maqedonia se nuk i respekton të drejtat e njeriut. Gir tha se nuk është kompetent që të hyj në çështje që kanë të bëjnë me historinë, por njëkohësisht dëmtimin e  tabelës së shoqatës Car Boris në Ohër e quajti incident që e tejkalon linjën.

“Unë nuk do ta interpretoj historinë. Më lejoni që të them se ky vend ka histori të mirë, dosje të mirë sa u përket marrëdhënieve mes bashkësive që jetojnë në vend. Në fakt, sa i përket incidentit që ndodhi para disa ditëve para Ministrisë së punëve të jashtme, doli dhe tha në mënyrë të qartë se në lidhje me këtë çështje, u tejkalua linja”, theksoi Dejvid Gir, euroambasador.

Zv/kryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq tha se Qeveria tashmë ka reaguar për hapjen e shoqatave dhe klubeve të tilla që nuk kontribuojnë për marrëdhëniet e mira me fqinjët.

“Nga Qeveria  reaguan disa funksionarë dhe ky reagim është i qartë se emrat e këtyre klubeve nuk i konsiderojmë si kontribut për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe i konsiderojmë provokim. Ne mendojmë se janë kontrovers, por mendoj se është shumë më mirë për ne si vend demokratik, anëtar i NATO-s, anëtar i Këshillit të Evropës, anëtar i OSBE-së, kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian t’i zgjidhim këto çështjet në mënyrë institucionale në vend që t’i zgjidhim me dhunë”, pohoi Bojan Mariçiq, zv/kryeministër për Çështje Europiane.

Ndryshe, Gir dhe Mariçiq, të cilët mbajtën konferencë për media për Raportin për progresin e vendit drejt proceseve integruese evropiane, ndanë mendimin se Maqedonia ka nota pozitive. Megjithatë, si problematik u cilësua funksionimi i Kuvendit, ku u theksua se opozita e bllokon punën.

“Është e vërtetë që për procesin e skriningut edhe vetë Kuvendi është i përfshirë, ai ka një rol për të luajtur, veçanërisht  Këshilli Kombëtar për Integrime Europiane duhet të luajë rolin e tij, por Kuvendi do të ketë një rol vendimtar gjatë gjithë procesit të negociatave, do të jetë vendimtare për miratimin e ligjeve. Gjithashtu duhet të ketë mbikëqyrje reale mbi vetë veprimet e pushtetit ekzekutiv dhe zbatimin e reformave, në fakt do të jetë vendimtare si pikë qendrore për debatet publike”, deklaroi Dejvid Gir, euroambasador.

“Nuk mund të anashkalojmë strategjinë politike të opozitës për të penguar funksionimin e Kuvendit. E shihni që edhe në kushte kaq të vështira miratohen ligje dhe ecin procedurat, ndonëse shumë ngadalë. Pra, ne po bëjmë përpjekje edhe tani, jemi të gatshëm të vazhdojmë të bëjmë përpjekje, por është e rëndësishme që konsensusi për BE-në të tregohet në vepër, të mos jetë vetëm deklaratë politike”, tha Bojan Mariçiq, zv/kryeministër për Çështje Europiane.

Në konferencën për shtyp ku ambasadori evropian Gir ia prezantoi raportin vjetor zëvendëskryeministrit Mariçiq, u tha se Komisioni Evropian e theksoi  nivelin e  mirë të gatishmërisë së vendit, por tha se nevojiten reforma të përshpejtuara dhe se duhet të përdoret procesi i skriningut. Maqedonia vlerësohet si e përgatitur mesatarisht kur bëhet fjalë për administratën publike, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit.