Përzgjedhësi i përfaqësueses së futbollit të Maqedonisë, Blagoja Milevski, ka folur me fjalë lavdëruese për futbollistët e ekipit kombëtar. Ai ka theksuar se ndihet krenar që ka pasur mundësinë të punojë me këtë grup lojtarësh, që sipas tij, ka treguar shumë në këto kualifikime për Kupën e Botës.
Para ndeshjes së nesërme ndaj Belgjikës, Milevski nuk e humbi rastin të lavdërojë gjithë ekipin për paraqitjet e tyre deri tani. Ai tha se qëllimi i tij, që nga momenti kur e mori drejtimin e përfaqësueses, ka qenë krijimi i një ekipi të respektuar që do të ishte mes më të mirëve në Evropë.
“Jam krenar për futbollistët tanë, jo vetëm për këto kualifikime, por për gjithçka që kanë treguar në 8 vitet e fundit – me pjesëmarrjen në Ligën e Kombeve, me konkurrueshmërinë në grupin tonë, dhe me faktin që kemi pothuajse të siguruar një vend në play-off për Botëror për herë të dytë radhazi. Atmosfera brenda ekipit është forca jonë lëvizëse. Respekt maksimal për Belgjikën, ata mbeten favoritë në grup dhe kanë një përbërje të jashtëzakonshme. Shpresoj të jemi sa më konkurrues dhe të shohim si do të shkojë,” – u shpreh Milevski.
Ai shtoi se e vetmja gjë që do t’u thotë lojtarëve para se të hyjnë në fushë është:
“Kënaquni në ndeshje.”
Ndërkohë, mbrojtësi Visar Musliu theksoi rëndësinë e disiplinës dhe bashkëpunimit në fushë, pasi ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë, sidomos kundër një kundërshtari si Belgjika.
“Nuk ka ndeshje të lehta, këtë e dimë që nga grumbullimi. Edhe pse mungon Lukaku, aty janë Openda, Batshuayi dhe të tjerët – ndoshta jo në nivelin e Lukakut, por janë lojtarë të nivelit të Ligës së Kampionëve. Duhet të reagojmë si ekip, përballë një prej sulmeve më të mira dhe lojtarëve ofanzivë shumë të rrezikshëm. Duhet të jemi të gjithë në nivel, ashtu siç ishim në Shkup, për të arritur objektivin,” – tha Musliu.
Ndeshja do të luhet të premten në ora 20:45 në Planet Group Arena në Gent, Belgjikë.