BLERIM REKA PËRMBYLL FUSHATËN NË TETOVË, “KUNDËR AKSHAM-PAZAREVE NGA PATRIOTËT TENDERISTË”

TË FUNDIT

Kandidati për President Blerim Reka e përmbylli fushatën e tij në Tetovë, qytetin që e quajti vendnisjen e çdo iniciative kombëtare.

“Po përmbyllim shpjegimin e konceptit për republikën për të gjithë, por ama me ligjin për të gjithë. Republikën e sundimit të ligjit dhe jo të individit. Kundër korrupsionit, nepotizmit dhe drejtësisë selektive, sidomos kundër aksham-pazareve me votën tuaj nga patriotët tenderistë dhe nacionalistët komercialistë”, u shpreh Kandidati për President, Blerim Reka.

I pranishëm për t’i dhënë mbështetje për herë të dytë nga Kosova erdhi edhe lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti i cili tha se pas regjimit të Gruevskit, edhe maqedonasit duhet të dëshmohen duke votuar një shqiptar.

“Pas dialogut dhe marrëveshjes me Greqinë për emrin e shtetit, Zaev mund të bëjë edhe dialogun dhe marrëveshjen me shqiptarët për karakterin e shtetit. Le ta ndihmojmë Zoran Zaevin duke e votuar Blerim Rekën”, potencoi Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

“Mjaft më shqiptarët të paguajnë 100% dhe të marrin as 5%. Më 21 prill duke votuar profesorin Blerim Reka ju do të delegjitimoni ata të cilët sot janë në pushtet vetëm për të mbrojtur vetveten”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes “Besa”.

Në përkrahje të kandidaturës së Rekës nuk mungoi as lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, deputetë të dy partive opozitare shqiptare në Maqedoni si dhe deputetë të “Vetëvendosjes” nga Kosova.

Në zgjedhjet Presidenciale të 21 prillit, kandidati i pavarur Blerim Reka, por i përkrahur nga Lëvizja “Besa” dhe “Aleanca për Shqiptarët”, në fletëvotim mban numrin 1.

Përgatiti: Besir Arifi