Blerim Ramadani dhe rasti Monstra, temë diskutimi mes Kurtit dhe Mickoskit në Shkup

TË FUNDIT

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski në takimin e sotëm në Shkup biseduan edhe për ish pjesëtarin e UÇK-së Blerim Ramadanin, i cili u arrestua nga autoritetet e Maqedonisë, por edhe për çështjen e ekstradimit të dy të dënuarve të rastit Monstra Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri nga Kosova. Për të dyja çështjet thanë se ministrat e drejtësisë do të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe se gjithçka do të shkojë në funksion të ligjit dhe kushtetutës.

“Rasti i dy të arratisurve u ngrit në institucionet e R. e Kosovës, tani lënda është tek Prokuroria speciale e vendit tonë dhe gjithashtu edhe për atë që po mbahet në Maqedoni të Veriut, tashmë jo në burg, por me kërkesë të Serbisë për ekstradim. Ky rast është diskutuar dhe besoj që do të përmbyllen sa më shpejt që të jetë e mundur, që të dyja, që edhe ligji të zbatohet por edhe marrëdhëniet tona të mira fqinjësore të ruhen e të mirëmbahen”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ministrat e drejtësisë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë, jo vetëm për këtë rast, por edhe për rastin Montsra dhe presim që marrëdhëniet e mira bilaterale vetëm të shkojnë në drejtim pozitiv dhe jo të shkojmë pas. Përkundrazi ky takim është porosi se dëshirojmë që t’i rrisim dhe përmirësojmë marrëdhëniet mes dy qeverive”, u shpreh kryeministri i Maqedonisës së Veriut, Hristijan Mickoski.  

Ndryshe Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Atij së pari ju caktua paraburgim në burgun e Shkupit, por për momentin është liruar dhe po qëndron në arrest shtëpiak në Shkup, ku do të qëndrojë deri më 16 gusht.

Për rastin e Afrim Ismailoviqit dhe Alil Demirit, i sapoardhur në krye të Ministrisë së drejtësisë, ministri, Igor Fillkov, menjëherë ka nënshkruar kërkesat për ekstradimin e tyre. Që të dy janë të dënuar për terrorizëm.