Në eventin e mbrëmshëm të kompanive më të suksesshme “TOP 100” pjesëtarët të Odës Ekonomike Veri-Perëndimore prisnin radhën të bënin foto me kryeministrin Mickovski dhe zëvendëskryeministrin Mexhiti. Madje, skena ishte e vogël për të gjithë ata që donin të dalin sa më afër krerëve shtetëror. Edhe pse më tepër i ngjante një odë burrash, pa përfaqësim të femrave në fushën e biznesit. Por, kur bëhet fjalë për mbështetjen e bizneseve shqiptare, pak njerëz mbeten karshi ekzekutivit. Biznese te shumta shqiptare ankohen se mbeten të pa përfaqësuar nga Oda në ndikimin për zhvillimin e projekteve infrastrukturore dhe lehtësirave legjislative në shkëmbimet tregtare me vendet fqinje.
“Qindra biznese shqiptare të ndodhura në rrugën e Vizbegut nga Shkupi për Prishtinë, të cilat janë kryesisht me mallra tregtar dhe kanë shkëmbim të lartë me Kosovën, ankohen se Oda e Maqedonisë Veri-Perëndimore është e pafuqishme të ndikoj tek pushteti aktual për të ecur procesin e ndërtimit të rrugës dhe zgjerimin në katër korsi siç është paralajmëruar dhe si pasojë ata e vuajnë çdo ditë në ngecje të shkëmbimit të mallrave dhe vonesa të lëvizjes së tyre”, raporton Adnan Qaili, gazetar i TV21.
Goditja e radhës së bizneseve shqiptare mund të vij deri në fund të vitit sepse nuk është përfshirë heqja eventuale e “kartonit të gjelbër” të sigurimit ndërkombëtar të automjeteve me Kosovën. Ndonëse me shtetin më të ri, vend ynë ka një shkëmbim të lartë tregtar, OEMVP nuk ka reaguar për të bërë efektin e tyre që tu krijohet lehtësirë bizneseve, të cilat humbasin gjatë transportit të mallrave dhe shërbimeve.
Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se bizneset shqiptare do goditen rëndë nëse nuk rishikohet ky vendim sepse edhe Kosova është anëtare e CEFTA, sikurse Shqipëria, Serbia, Moldavia.
“Kërkesa jonë është që edhe Kosova të përfshihet në këtë iniciativë dhe të mos jetë jashtë sepse nuk do ta ketë kuptimin e plotë asnjë nismë nëse nuk zbatohet brenda gjithë anëtarëve të CEFTA. Maqedonia është vendi i dytë me të cilin Kosova ka import dhe eksport mbas Shqipërisë. Nuk duhet të vihen barriera mes nesh, ne jemi duke luftuar për t’i eliminuar barrierat mes nesh. Ne jemi edhe nënshkrues të marrëveshjes për tregun e përbashkët që u nënshkruan në 2020 në Sofje”, tha Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.
Kompanitë private goxha me nam në pronësi të biznesmenëve shqiptarë, të njohura për redaksinë e TV21, të cilat pohojnë se janë tërhequr nga ODA Ekonomike Veri-Perëndimore, adresojnë ankesa se individë të caktuar brenda Odës e shfrytëzojnë këtë organizatë për interesa të tyre personale, të kenë lehtësira fiskale e doganore. Disa kompani, të cilat kanë pasur dëme të mëdha materiale nga vërshimet dhe zjarret, por edhe probleme të tjera juridike thonë se OEMVP asnjëherë nuk u bë zëri i tyre. Pyetëm kryetarin e OEMVP-së Mendi Qyra, por nuk deshi të prononcohet para kamerës. Përmes telefonit na tha se brenda odës nuk ka përçarje të bizneseve dhe se ata janë të prirë të kenë raporte me të gjithë përfaqësuesit e partive politike.
