Bizneset në Ballkanin Perëndimor përballen me barriera, thirrje qeverive të ndihmojnë në largimin e pengesave

TË FUNDIT

Bizneset po përballen me pengesa në funksionimin e tyre për shkëmbim tregtar mes shteteve nga Ballkani Perëndimor, ankohen nga odat ekonomike. Përfaqësuesit e Odave Ekonomike të Maqedonisë dhe Kosovës kërkojnë ndihmë nga qeveritë e tyre që t’ua lehtësojnë procedurat nëse me të vërtetë duan t’i plotësojnë standardet europiane.

“Puna jonë në fakt është një urë dhe ndihmë për bizneset të cilat duhet të kalojnë edhe një nivel tjetër gjegjësisht merret parasysh vitalizimi dhe agjenda e gjelbër që ato të jenë të përgatitura për integrimet e ardhshme evropiane. Gjithashtu do ta shfrytëzojë mundësinë sa jemi të gjithë bashkë me Odën Ekonomike të Serbisë dhe Kosovës, që me dialog të përbashkët t’i tejkalojmë barrierat mes dy vendeve”, deklaroi Lulzim Rafuna – Oda Ekonomike e Kosovës

“Është fakt se bizneset tek ne përballen me barriera administrative dhe joadministrative dhe ne jemi këtu të lobojmë në emër të biznesit për t’u bërë presion qeverive t’i largojnë këto barriera. Ne jemi shtete të vogla dhe bashkëpunimi mes nesh do të na ndihmojë të zhvillojmë biznesin”, pohoi Lulzim Rafuna – Oda Ekonomike e Kosovës.

Branko Azeski nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut u ankua se pushteti nuk po ndihmon që të zhvillohen si përfaqësues të bizneseve, por vazhdimisht po u imponojnë të dhëna tjera shtesë.

“Tek ne definitivisht një mijë herë është konstatuar në Ballkan se politika është mbi ekonominë, se elitat politike bëjnë probleme të ngelin në pushtet dhe jo të bëjnë përparim ekonomik dhe se ne mundemi si sektor privat ta ndryshojmë këtë dhe ta bëjmë. E a mundet kjo të bëhet pa të holla është çështja kryesore. E të jemi të ngarkuar me të dhëna të ndryshme, në vend se ato para t’i investojmë në afrimin e standardeve të Bashkimit Evropian. Dhe i njëjti si elitë politike të thotë eja ngrihu t’i bashkangjitemi  Bashkimit Evropian dhe të shkojmë por me çka? Në Bashkimin Evropian shkohet me qëllim të qartë, me kuadër dhe me të holla”, tha Branko Azeski nga Oda Ekonomike e RMV.

Konferenca e sotme rajonale ishte me temë “Si të sigurohet bashkëpunim më i madh mes ekonomive nga Ballkani Perëndimor – sfida dhe mundësi”, si pjesë e aktiviteteve të projektit “Mbështetje për sektorin privat për integrim rajonal” që po zbatohet në partneritet me USAID.