Bislimi e Abazi akuzojnë për mungesën e ujit të pijshëm, Sadiku: Nuk kam ndenjur duarkryq, por i kemi duart e lidhura nga Qyteti i Shkupit

TË FUNDIT

Kandidatët për komunën e Studeniçanit, Sedat Bislimi e Ejup Abazi, akuzuan kryetarin aktual për mungesë të ujit të pijshëm. Siç tha Bislimi, Studeniçani ka problem të madh me ujin e pijshëm, ndërkohë që kryetari aktual ishte 20 vite në pushtet dhe nuk ofroi zgjidhje. Në anën tjetër, Abazi tha se kryetari aktual nuk duhet të arsyetohet, por të gjejë zgjidhje pasi qytetarëve u intereson pse nuk kanë ujë.

“Kryetari aktual mbaron mandatin e katërt, 16 vite, plus katër vite ka qenë këshilltar komune. Pra 20 vite në pushtet lokal. Tash në planprogramin e tij ende është çështja e ujit të pijshëm, dmth nuk e dimë edhe sa kohë do t’i duhet kryetarit actual që ky problem të zgjidhjet. Ne kemi problem të madh në Studeniçan, Batincë dhe vendet malore ku njerëzit jetojnë në kushte shumë të këqija, pasi pa ujë të pijshëm nuk mund të funksionojë një familje”, tha Sedat Bislimi.

“Unë e ndjejë në lëkurën time problemin me ujësjellësin pasi jetojë në atë pjesë ku ka probleme. Për këtë projekt, disa vite është investuar, komuna ka investuar. Kjo ka filluar diku para 20 vite, është ndërtuar rezervuari ujë të pijshëm, pastaj është investuar edhe në rrjetin e ujësjellësit. Pro kryetari nuk duhet të arsyetohet në çdo katër vite, pro duhet të gjejë zgjidhje për problemit. Qytetarëve ju intereson pse nuk  kanë ujë të pijshëm”, tha Ejup Abazi.

Por kryetari aktual i cili ka kandiduar sërish për Studeniçanin, tha se nuk kanë qëndruar duarkryq, por kanë pasur pengesa nga Qyteti i Shkupit. Azem Sadiku tha se kanë siguruar mjetet dhe në mandatin e ardhshëm problemi do të zgjidhet.

“Ne nuk kemi ndenjur duarkryq, buxheti i komunës tone është shumë i kufizuar për projekte të mëdha. Paramendoni tash, edhe 103 milionë tjera i kemi të siguruara mjetet dhe definitivisht ky projekt do të zgjidhjet. Nuk duhet ta keqpërdorni. Ne gjithmonë do të kemi nevojë për investime shtesë, pasi vendbanimet tona shtohet”, tha Azem Sadiku./tv21.tv