Ndihmës presidenti rus tha se bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës pranë kufirit Ukrainë-Bjellorusi pritet të fillojnë në mesditën sipas kohës së Moskës të hënën, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
Ndihmësi i presidentit rus, Vladimir Medinsky, i cili drejton delegacionin e Kremlinit, tha se ekipi i tij është “gati për negociata menjëherë pas mbërritjes së tyre” (të palës ukrainase).
Më shumë për takimin: Dy delegacionet do të takohen pranë lumit Pripyat në kufi. Zyra e Presidentit ukrainas Volodymir Zelenskij tha se presidenti bjellorus, Aleksandar Lukashenko e telefonoi Zelenskij të dielën dhe i ofroi garanci sigurie, duke thënë se Lukashenko “kishte marrë përgjegjësinë për të siguruar që të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e stacionuara në territorin bjellorusi do të qëndrojnë në terren gjatë udhëtimit të delegacionit ukrainas”.
Takimi i planifikuar i së hënës pason një mori deklaratash nga Kremlini, i cili pretendoi më parë se pala ukrainase kishte kundërshtuar propozimin e Rusisë për t’u takuar në Bjellorusi me një propozim për t’u takuar në Varshavë dhe më pas kishte hequr dorë nga bisedimet. Zyra e Zelenskijt mohoi pretendimet se Kievi refuzoi të negocionte./TV21
