Birra, uji e lëngjet do të shiten 10% më lirë/ Nga nesër ulet edhe marzha e fitimit për frutat dhe perimet

TË FUNDIT

Birra, uji e lëngjet vendore do të shiten 10% më lirë nga nesër, respektivisht nëse një ujë 1.5l sot e keni 27 denarë nga nesër do ta bleni për 24 denarë. Gjithashtu do të kufizohet edhe marzha e fitimit për frutat dhe perimet bëri të ditur kryeministri Dimitar Kovaçevski si masa për ruajtjen e standardit jetësor të qytetarëve.

“Pas analizave të detajuara të ministrisë së ekonomisë u pa se me uljen e marzhës çmimet e frutave dhe perimeve në mënyrë shtesë do të ulen deri në 30 % për këtë shkak edhe u sollën këto vendime.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski.

 

 

Edhe pse kërkesë e qytetarëve është rritja e të ardhurave, sepse këto masa sipas tyre nuk mjaftojnë kryeministri thotë se kanë bërë mjaftueshëm edhe në këtë drejtim. Përmend rritjet e të ardhurave të qytetarëve gjatë periudhës së kaluar por harron faktin se gjatë të njëjtës kohë u rritën në mënyrë drastike edhe çmimet.

“Askund nuk do të gjeni dikë që nuk do të pajtohet se pagat në mandatin e kësaj qeverie ku vetëm paga minimale është rritur dyfish sepse ishte 8000 denarë tani është 21 000 denarë, ndërsa do të paraprijë edhe rritje e re. Pensioni minimal është rritur për 40 % dhe këto janë rritje të të ardhurave të qytetarëve, ndërsa gjatë krizës ju e dini se kemi pasur paketën më të madhe të masave antikrizë. Për mua është e qartë se gjithmonë duhen më shumë të ardhura, gjithmonë janë të nevojshme më shumë investime.”- tha Dimitar Kovaçevski.

 

Kujtojmë se masat e fundit të Qeverisë për ruajtjen e standardit jetësorë do të vlejnë deri më 30 nëntor, ndërsa për zgjatjen eventuale të tyre do të vendoset në varësi të situatës.