Bill Gates i dhuron 8 miliardë $ ish-gruas së tij

TË FUNDIT

Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, i ka transferuar afro 8 miliardë dollarë ish-gruas së tij, Melinda French Gates, për qëllime bamirësie, duke e kthyer fondacionin e saj në një nga organizatat jofitimprurëse më të mëdha në botë.

Çifti njoftoi divorcin në maj të vitit 2021, pas 27 vitesh martesë, ndërsa më pas vijuan ndarjen edhe në angazhimet e tyre filantropike. Në maj të vitit 2024, Melinda French Gates konfirmoi tërheqjen nga posti i bashkëkryetares së Fondacionit Gates.

Sipas të dhënave zyrtare, Fondacioni Gates ka shpenzuar rreth 53.8 miliardë dollarë që nga viti 2000, duke mbështetur projekte në shëndetësi, barazi gjinore, zhvillim global dhe arsim.

Në njoftimin për largimin e saj, French Gates theksoi se, bazuar në marrëveshjen e divorcit me Bill Gates, do të përfitonte 12.5 miliardë dollarë shtesë për t’i dedikuar punës së saj filantropike në mbështetje të grave dhe familjeve.

Pjesa më e madhe e këtyre fondeve është kanalizuar drejt Pivotal Philanthropies, një organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 2022, pjesë e grupit Pivotal, të cilin Melinda French Gates e krijoi në vitin 2015 me synimin për të përshpejtuar progresin shoqëror për gratë dhe të rinjtë në Shtetet e Bashkuara dhe në nivel global.