Sindikata e policisë në Berlin i bëri një thirrje të re udhëheqësve politikë për ndalim të menjëhershëm të përdorimit të fishekzjarreve dhe mjeteve piroteknike nga personat civilë gjatë natës së Vitit të Ri, pasi festimet e fundvitit u errësuan sërish nga vdekjet dhe lëndimet e rënda, raporton agjencia DPA.
“Na duhet një ndalim i piroteknikës për përdorim personal”, tha zëdhënësi i sindikatës, Benjamin Jendro, duke paralajmëruar se nëse rregulloret nuk ndryshohen, e njëjta situatë do të përsëritet edhe vitin e ardhshëm.
Në Gjermani përdorimi i fishekzjarreve në pronësi private është i ligjshëm me disa kufizime, por çdo vit rezulton me pasoja tragjike. Gjatë pritjes së vitit 2026, dy të rinj humbën jetën në qytetin Bielefeld, ndërsa në të gjithë vendin u regjistruan “pafund” lëndime. Në Berlin u shënua një incident veçanërisht i rëndë, ku një fëmijë i humbi dorën pas shpërthimit të një pushkaliqe të fuqishme.
Jendro theksoi se edhe pse vlerësimet e policisë treguan se festa kaloi më qetë krahasuar me vitet e mëparshme, niveli i agresionit ndaj pjesëtarëve të shërbimeve të sigurisë dhe numri i lëndimeve mbeten të papranueshme.
