Në spitalin e Gostivarit, numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore po shënon rënie të dukshme. Sipas drejtorit të spitalit, rreth 117 pacientë janë paraqitur për të marrë terapi pas helmimit nga uji. Të gjithë pacientët kanë simptoma të njëjta: temperaturë, diarre, vjellje dhe lodhje trupore.
“Numri i pacientëve vazhdon të shënojë rënie. Më 23.07.2026, në repartin infektiv kemi pasur rreth 82 pacientë të rinj. Në repartin e pediatrisë kemi një numër jashtëzakonisht të vogël, gjithsej 33 pacientë, ndërsa në urgjencë 2 pacientë të rinj. Gjithsej janë 117 pacientë, që është një numër relativisht më i vogël krahasuar me ditët e tjera. Pra, kemi një trend në rënie. Të gjithë pacientët paraqiten me të njëjtat simptoma”, theksoi Emri Bajrami, drejtor i Spitalit të Gostivarit.
Spitali vazhdon të jetë i furnizuar me barna në mënyrë që pacientët të marrin terapinë e nevojshme. Sot “Alkaloid” ka dhuruar një sasi të konsiderueshme të infuzioneve dhe ampulave të domosdoshme për momentin.
Nga Qendra për Shëndet Publik në Gostivar nuk japin të dhëna mbi rezultatet e analizave të fundit të ujit. Sipas burimeve të TV21, kjo ndodh për shkak se Qendra për Shëndet Publik për momentin është nën hetim.
Ndërkohë, nga Qendra për Menaxhimin e Krizave bëjnë me dije se në pesë pika të Gostivarit po shpërndahet ujë teknik me cisterna me kapacitet nga 3 deri në 13 tonë dhe ujë i pijshëm për banorët.
“Tetova është gjithmonë këtu, prandaj ka ardhur me disa cisterna nga Ndërmarrja Publike Komunale e Tetovës. Dje u përfshi edhe Komuna e Bogovinës. Edhe Qyteti i Shkupit, përmes Ndërmarrjes Publike Komunale, dërgoi ujë. TEC Oslomej na dërgoi një cisternë dhe presim që ajo të kthehet për t’u mbushur sërish atje. “Bechtel & Enka” sot sollën një cisternë prej 13 tonësh me ujë të pijshëm. Nga Kavadari kemi një cisternë prej tetë tonësh, të cilën e mbushim me ujë të pijshëm, si dhe një cisternë nga Negotina me 5 tonë ujë të pijshëm”, pohoi Jovanka Stavrevska-Danakovska – QMK-Gostivar.
Ende nuk dihet saktë se kur do të mund të përdoret uji i Gostivarit, qoftë edhe për nevojave teknike.
Pritjet, të cilat i ndau dje edhe kryeministri Hristijan Mickoski, janë që deri në fund të javës uji në Gostivar të jetë teknikisht i rregullt, ndërsa nga fundi i javës së ardhshme të jetë i sigurt edhe për pije, natyrisht nëse gjithçka zhvillohet sipas planit.
Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave dhe Qendrës për Shëndet Publik, ndalesa për përdorimin e ujit nga çezmat mbetet ende në fuqi.
