Biden: SHBA nuk do të largohet nga Lindja e Mesme

TË FUNDIT

Duke folur në një samit të liderëve arabë, presidenti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara “nuk do të largohen” nga Lindja e Mesme dhe nuk do të lejojnë që “Kina, Rusia apo Irani” të mbushin një vakum pushteti në rajon.

“Në gjithë botën ne po shohim përpjekje për të minuar rendin e bazuar në rregulla. Me veprimet gjithnjë e më shtrënguese të Kinës në Indo-Paqësor dhe më gjerë; me luftën brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër fqinjit të saj në Ukrainë; me aktivitetet destabilizuese të Iranit këtu në Lindjen e Mesme. Ne kemi parë gjithashtu ndryshime kritike. Për herë të parë që nga 11 Shtatori një president amerikan po viziton këtë rajon pa trupat amerikane të përfshira në luftime, në një mision luftarak në këtë rajon.”

Presidenti Biden e bëri këtë deklaratë në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit në fund të një turneu katër-ditor në Lindjen e Mesme.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner aktiv dhe i angazhuar në Lindjen e Mesme dhe u bëri thirrje udhëheqësve të mbledhur në një samit arab që t’i shohin të drejtat e njeriut si një forcë të fuqishme ekonomike dhe ndryshimi social.

Ndër takimet dypalëshe ngjalli interes ishte ai me Princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman, për shkak të shqetësimeve për gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe në veçanti për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Momenti i takimit me cekje grushtash mes Presidentit Biden dhe princit saudit ngjalli komente dhe kritika. I pyetur nga gazetarët, Presidenti Biden qartësoi se gjatë takimit ia kishte përsëritur princit saudit se e konsideron përgjegjës për vrasjen e gazetarit dhe se e konsideron shkelje të drejtave të njeriut mënyrën se si trajtohen kritikët e administratës saudite, brenda vendit apo jashtë tij.

Biden erdhi në Arabinë Saudite me shpresën për të arritur një marrëveshje për prodhimin e naftës për të ndihmuar në uljen e çmimeve të benzinës që po e çojnë inflacionin në nivelet më të larta të më shumë se 40 viteve në SHBA. Ai shpreson se përpjekjet e tij diplomatike  do ta shtyjnë OPEC-un të rrisë prodhimin deri në takimin e radhës më 3 gusht.

Turi i Biden në Lindjen e Mesme shihet si një shpresë për uljen e çmimit të naftës, teksa Mbretëria e Arabisë Saudite ka premtuar shtim te prodhimit. Në bursat ndërkombëtare nafta shitet në nivelin e 100 dollarëve për fuçi.