“Domethënë nga 1 nëntori ne do të nisim me riparimin dhe inventarë të ri. Sa mjete janë ndarë? Rreth 1 milion e 500 mijë”
Kjo është deklarata e drejtoreshës së Bibliotekës Nacionale “Shën Klimenti i Ohrit” nga muaji gusht i vitit të kaluar, periudhë kur erdhi në detyrë. Që atëherë kanë kaluar dhjetë muaj e Kostadinova nuk po duket në media. TV21 disa herë e ka kërkuar për deklaratë por e njëjta nuk po pranon, ndërkaq nuk ka lejuar as të futemi brenda për të xhiruar.
Ne disa herë po tentojmë që të marrim deklaratë, domethënë brenda këtyre 10 muajve si dhe të hyjmë e të xhirojmë për të parë se si është gjendja tani në këto leximore, mirëpo drejtoresha nuk po na mirëpret e nuk po na lejon që të futemi brenda dhe të marrim pamje.
Edhe sot e kontaktuam Kostadinovën, për ta pyetur se deri ku është rinovimi i leximoreve dhe i kulmit të objektit, por na tha se nuk ndodhet aty dhe se nuk guxojmë të futemi në objekt për të marrë pamje pa qenë drejtoresha aty. Madje kur folëm me të në telefon, na mësoi edhe çfarë lajmesh të bëjmë, duke shtuar se mund ta thërrasim vetëm për tema shkencore dhe tha se do të ftojë gazetarët kur të nënshkruhet tenderi për rikonstruimin e kulmit.
E njëjta situatë ishte edhe para 6 muajve. Edhe pse drejtoresha ishte aty, TV21 nuk u lejua të futet brenda e as nuk pranoi të flasë para kamerës.
-Ju jeni drejtoresha?
-Po, por ne u morëm vesh që të vini pas janarit për të incizuar.
-Pse? Vetëm me ftesë mundet? Nuk mundemi tani derisa zgjasin aktivitetet?
-Nuk kanë përfunduar ende.
-A mund t’i pyesim studentët a janë të kënaqur nga kushtet?
-A mund të incizojmë tani se si duket?
-Jo.
TV21 posedon pamje se si duket aktualisht leximorja e rinovuar, për të cilat kemi raportuar disa herë deri më tani.
