Bexheti demanton Kasamin: Të kërkojë falje ose do ta padis! Kasami nuk komenton

TË FUNDIT

Ish kryetari i Tetovës Sadi Bexheti, deklaratën e djeshme të kryetarit Bilall Kasami e ka quajtur shpifje dhe të pa vërteta. Sipas Bexhetit ai punën në komunë e ka bërë me ndershmëri edhe Policia Financiare nuk është duke e hetuar rastin që ka të bëjë në kohën kur ka qenë ai kryetar komunës. Bexheti ftoi Kasamin që publikisht të kërkojë falje, në të kundërtën ka paralajmëruar se do të parashtrojë padi për shpifje kundër tij në Gjykatë.

“E ndjej të domosdoshme që të dalë para jush për të demantuar deklaratën e kryetarit të Tetovës në ditën e djeshme, në lidhje me akuzat ndaj personalitetit tim dhe parregullsitë financiare të konstatuara nuk kanë të bëjnë me periudhën e qeverisjes sime. Ftoj kryetarin e Komunës që të informohet siç duhet përpara se të bëjë deklarata të tilla publike. Nëse i njëjti nuk bënë demantimin e deklaratave të tilla, unë do të jem i detyruar t’i drejtohem Gjykatës me padi për shpifje ndaj meje”, tha Bexheti.

I kontaktuar nga TV21, kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka refuzuar të komentojë për padinë e paralajmëruar nga Bexheti.
Ndryshe dje Policia Financiare ka kryer kontrolle në Komunën e Tetovës, ndërsa Bilall Kasami tha se ata janë duke kontrolluar “për disa lëndë të ish-kryetarit të Komunës së Tetovës, Sadi Bexhetit”. Kasami këtë e quajti presion politik, pasi që siç shton, në 8 vite sa në krye të komunës së Tetovës ka qenë Teuta Arifi, Policia Financiare nuk ka gjetur kohë që t’i procedojë lëndët. E nga Drejtoria e Policisë Financiare përmes një kumtesë me shkrim thonë se punojnë në mënyrë të paanshme dhe kërkohet që rasti të mos politizohet.