Betejë e vështirë me zjarrin në afërsi të Manastirit! “Kanadejri” ka 10 ditë që po pret në Spanjë, nuk ka pilot të lirë

TË FUNDIT

Për shkak të defektit të linjës së transmetimit në fshatin Gjavatë, Bogdancë shpërtheu zjarr të cilin rreth 50 zjarrfikës arritën ta lokalizojnë në orët e hershme të mëngjesit. Furia e zjarrit u ndal në 100 deri në 200 metra afër fshatit, falë ekipeve të MPB-së dhe Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, me ndihmën e helikopterit të Armatës që ka arritur në orën 6 të mëngjesit.

“Gjatë natës frynte erë që dje na pengoi të veprojmë me sukses, megjithatë sot gjithçka do të jetë nën kontroll. Zjarri u lokalizua, por dje frynte erë prej 30-40 km/h duke e shpërndarë zjarrin në të gjitha drejtimet. Andaj së pari duhet t’i mbrojmë shtëpitë, kishën e fshatit Gjavatë ndërsa pastaj të shuhet zjarri”, tha Bekim Maksuti, DMSH.

“Zjarri nuk është shuar megjithatë është nën kontroll të plotë, tani fola me personin përgjegjës. Për momentin paraqiten zjarre në vende të caktuara megjithatë i kemi nën kontroll. Gjatë natës kishte betejë të ashpër me zjarrin rreth fshatit. Era e ndryshonte drejtimin duke u përforcuar, bëri problem të madh sepse e çonte zjarrin në drejtim të shtëpive. Por kishte zjarrfikës në linjën mes shtëpive dhe zjarrit”, theksoi Stojançe Angellov, QMK.

Në terren për shuarjen e zjarrit në Gjavatë u angazhuan ekipe të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim nga Vallandova – ekip për përgjigje të shpejtë me 13 të punësuar, “Komunalec” nga Bogdancë me 10 njerëz, shërbim kundërzjarrit nga Dojrani me një cisternë dhe shërbimi kundërzjarrit nga Strumica me një automjet terreni me pompë dhe 5 zjarrfikës. Për momentin Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim ka vetëm një aeroplan të tipit “Kanadejr” për shuarjen e zjarreve. Tjetri është në Spanjë, kanë mbaruar procedurat doganore dhe pret për pilot të lirë. Ka paralajmërim se një pilot i ShBA-ve duhet të sjellë avion në Spanjë dhe i njëjti të na e kthejë helikopterin tonë.

 “Helikopteri tashmë 10 ditë është riparuar dhe pret për t’u kthyer këtu. Pala spanjolle ka problem për të gjetur pilot të lirë i cili do ta sjellë në vendin tonë. Bëjmë përpjekje çdo ditë megjithatë ky është obligim i tyre”, deklaroi Bekim Maksuti, DMSH.  

Mbrëmë kishte dy zjarre edhe në zonën e Kumanovës. Sipas informacioneve, zjarr kishte te varrezat e qytetit dhe te Shtëpia e gjuetisë. Edhe drejtori i DMSH-së edhe ai i QMK-së kur i kërkuam për informacione, udhëtuan për në Tiranë në takimin e dedikuar zjarreve në suazë të “Ballkanit të Hapur”. Sipas marrëveshjes, tre vendet kanë për obligim që t’i ndihmojnë njëri-tjetrit në rast të zjarreve. Drejtori Maksuti u apelon institucioneve të jenë të kujdesshme dhe të ndërmarrin masa me kohë, për shkak se zjarret shkaktojnë dëme materiale megjithatë ndonjëherë pasojat mund të jenë fatale me viktima dhe lëndime të rënda.