BESIR ALILI SHPËRBLEHET NGA AGJENCIA PËR SPORT, KAMPION JEP BESËN PËR MEDALJE OLIMPIKE

TË FUNDIT

Kampioni evropian i mundjes Besir Alili u prit në Agjencinë për Rini dhe Sport. Besiri së bashku me shokët e ekipit dhe trajnerët e Klubit të mundjes “Liria” u takuan me drejtorin e Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski. Kampioni dha fjalën e nderit “besën” që vendit do t’i sjellë edhe medalje të tjera nga garat në olimpiadë.

“Faleminderit dhe njëherë mediave për hapësirën e dhënë. Shpresoj që edhe do t’ju sjellë medalje të olimpiadës botërore. Besoj se ky është vetëm fillimi për mua, duhet të ushtroj edhe më shumë, kjo është më e rëndësishme për mua”, u shpreh kampioni evropian në mundje, Besir Alili.

Drejtori i Agjencisë, Darko Kaevski gjatë takimit me mundësin Alili theksoi se sporti është ambasadori ynë më dinjitoz. Agjencia për Rini dhe Sport do t’i ndajë mundësit Alili, 1 milion denarë.

“Unë në Këshillin e ardhshëm që mbahet pranë Agjencisë për Rini dhe Sport e që do të jetë të premten, do të propozoj që t’u dhurohet 1 milion denar, më saktësisht 800 mijë denar për Besirin dhe 200 mijë për trajnerin. Përveç kësaj, ne si Agjenci do  të mbulojmë të gjithë garat e mëdha dhe të gjithë procesin e trajnimit si dhe fazën përgatitore”, tha drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski.

Trajneri i kampionit Besir Alili, tha se kanë pasur mundësi që të fitojnë edhe medalje të tjera.

“Në këtë vit vetëm një medalje arritëm ta marrim, edhe pse edhe në rastet tjera ishim afër medaljeve. Edhe ishin edhe dy për medalje të bronztë por nuk arritën qëllimin që të bëhen medalist. Shpresojmë që herave tjera do të sjellim edhe më shumë medalje ndërkomëbtare, evropiane dhe botërore”, deklaroi trajneri i Besir Alilit, Sufjan Ismaili.

Mundësi Besir Alili në kategorinë e kadetëve pritet që të premten të takohet edhe me kryeministrin Zaev, ndërsa ditëve në vijim me presidentin e shtetit Stevo Pendarovski. Alili dje, pasi arriti në Shkup me minibus, u prit në mënyrë spektakolare në Sheshin Skenderbeu nga ana e Komunës së Çairit.