Besimi: Realizim më i mirë i investimeve kapitale me konceptin SMART financa

TË FUNDIT

Përmes zbatimit të konceptit të ri SMART financa, do të punohet në përmirësimin e realizimit të shpenzimeve kapitale. Këtë, siç informojnë nga Ministria e Financave, e paralajmëroi ministri i Financave Fatmir Besimi në intervistën e së dielës për Radio Evropa e Lirë dhe theksoi se në Ministrinë e Financave, por edhe në Qeveri do të bëhen njësi ose trupa për ndjekjen e realizimit të shpenzimeve kapitale që të përmirësohet performanca.

Koncepti i SMART financa, siç theksoi Besimi, është vendosja e strategjisë së qartë në financat publike, ndjekjen dhe matjen e rezultateve dhe njëkohësisht veprim transparent dhe llogaridhënës.

“Për këtë koncept SMART financa kemi mbështetje të qartë nga institucionet ndërkombëtare dhe nga Komisioni Evropian. Ka mjete shtesë për mbështetje të modelit për menaxhim të financave publike me grant prej pesë milionë euro për softuer për buxhetim dhe planifikim. Folëm edhe me Bankën Botërore për mjete shtesë për sistem, softuer dhe aplikacion dhe në Ministrinë e Financave dhe në Drejtorinë e të Ardhurave Publike që të munden të kryqëzohen të dhënat që të mundet të përmirësohet planifikimi. Në periudhën e ardhshme do të vendoset Ligji i ri reformues Ligj për buxhete, i RVNRR dhe do të fillojë debat për të”, tha Besimi.

Sa i përket pritjeve për rritje këtë vit, Besimi tha se projektimi deri më tani mbetet në -3,4 për qind sipas realizimit të deritanishëm të buxhetit. Megjithatë thekson se ka edhe variacione të skenarëve deri në fund të vitit, sipas asaj se a do të ketë valë të re të krizës Kovid.

Për borxhin publik, Besimi tha se në afat të shkurt ai do të rritet duke pasur parasysh se nuk ka rritje ekonomike, ndërsa ka nevojë për shpenzime që të mbështeten qytetarët dhe ekonomia. Theksoi edhe se në afat të mesëm borxhi do të stabilizohet kur ekonomia do të kthehet në rrugën e rritjes ekonomike.