Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, mbrëmë në “Click Plus”, tha se Besa u tregua e zgjuar dhe ua prishi filmin partnerëve qeverisës Zaev-Ahmeti-Thaçi të cilët sipas tij në mendje kishin skenarin siç ia bënë Aleancës për Shqiptarët kur doli nga Qeveria në 2017-tën.
“Në emisionet debative këtu te ju e ka tregu Menduh Thaçi, se si e shohin partnerët e koalicionit Besën në të ardhmen. Juve ju kujtohet ku ai e caktonte se Besa do të del nga Qeveria, s’do ta fitojë Tetovën dhe Alternativa do ta zëvendëson, këto janë fjalët e Menduh Thaçit.
TV21: Bilalli n’shpi, Araniti çiftelinë, kështu ka thënë z. Thaçi.
Mua më vjen mirë që ia prishëm filmin edhe z.Thaçi, edhe z.Ahmeti dhe edhe z.Zaev. Se filmi nuk ka qenë diçka e re, jashtë asaj që është dashur të ndodhë skenari që i ka ndodhur Aleancës për Shqiptarët në vitin 2017”, tha Hoxha.
Hoxha komentoi edhe hyrjen e Alternativës në Qeveri.
“Hyrja në Qeveri është thjesht vetëm për pozicione, për asnjë ideal tjetër. Ata kanë hyrë në Qeveri për të shpëtuar vetveten dhe mendoj se do të jetë shumë më keq se sa situata që mundet ta kishin në taborin opozitar”.
Sekretari gjeneral i Besës pret që në 2022-tën vendi do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa sipas tij opozita shqiptare do të jetë e ardhmja politike.
“Tash të njëjtën ua them se BDI do të pësojë tronditje tektonike dhe e ardhmja politike e shqiptarëve, të paktën në ciklin e ardhshëm zgjedhor do të jetë opozita shqiptarë. Unë i shoh zgjedhjet e ardhshme të parakohshme në 2022. Kjo Qeveri është e paqëndrueshme dhe pa legjitimitet”.
Gjatë emisionit Hoxha drejtoi një sërë kritikash dhe akuzat në adresë të dy partnerëve qeverisës, LSDM dhe BDI, ndërsa u shpreh se edhe motiv i Lëvizjes besa është shkuarja e BDI-së në opozitë. Për VMRO-DPMNE-në tha se e kuptojnë se Marrëveshja e Prespës është realitet që nuk mund të ndryshohet.
