Besa po përgatitë interpelancë ndaj Grubit? Rexhepi do të veprojë bashkë me deputetët e BDI-së

TË FUNDIT

Pinë kafe e u siguruan që të bëjnë edhe një fotografi së bashku. Fotografinë e njëjtë e shpërndanë që të tre, Izet Mexhiti, Blerim Bexheti dhe Kastriot Rexhepi edhe atë me mbishkrimin e njëjtë “bashkë”.

Mirëpo përveç kafes, treshja u morën vesh edhe për diçka tjetër. Deputeti i pavarur Kastriot Bexheti tani e tutje do t’i bashkëngjitet grupit parlamentarë te BDI-së.

Këtë për TV21 e konfirmoi vetë Izet Mexhiti, deputet i BDI-së.

“1 foto sa 1.000 fjalë. E qartë ishte porosia. Po, do të veprojë bashkë me grupin parlamentar të BDI-së”, tha Izet Mexhiti, deputet i BDI-së.

Ndërkohë paraprakisht TV21 pyeti drejtpërdrejt deputetin Rexhepi për këtë çështje dhe shumë të tjera, por ai u përgjigj shkurt dhe pa detaje.

“Prononcime për media do të kem prej ditës së enjte”, pohoi Kastriot Rexhepi, deputet i pavarur.

Nga ana tjetër sipas informacioneve të TV21 Lëvizja Besa po përgatitë interpelancë kundër zv/kryeministrit Artan Grubi, por ende nuk dihet së për çfarë arsye do të bëhet e njëjta.

“Të mërkurën iniciativa do t’i dërgohet deputetëve të BDI-së Izet Mexhitit dhe Merita Koxhagjikut”, thonë burime nga Lëvizja Besa.

Ndryshe, deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti më 29 shtator, pas takimit me kreun e BDI-së Ali AHmeti, deklaroi se nëse opozita nis interpelancë ndaj Artan Grubit, ai do të votonte “pro”.

Derisa zhvillimet politike në lidhje më BDI-në nuk kanë të ndalur, sonte për të folur për krizën politike brenda integristëve në “Click plus” ishte i ftuar njëri prej grupit të pakënaqurve Musa Xhaferi, njëherit edhe ish-zëvendëskryeministër. Megjithatë 1 orë pas publikimit të njoftimit (promo) për intervistën, Xhaferi e anuloi intervistën.

“Ju lutem, edhe pse kam konfirmuar prezencën time në emision për ditën e hënë, më njoftuan se ditën e martë kemi takim me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. Duke dashur që t’i japim shans plotësues bisedimeve për situatën e brendshme në BDI, me keqardhje ju njoftoj se duhet të anulojmë intervistën, me të vetmen arsye që bisedat mos t’i bëjmë përmes mediave. Ju faleminderit për mirëkuptimin. Pas takimit premtoj që do të vijë në studion tuaj”, tha Musa Xhaferi, ish-zëvëndëskryeministër.

Si duket zhvillimet brenda BDI-së kanë aktivizuar edhe funksionarët e tjerë të partisë. Gjatë fundjavës ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi për drekë u takua në Likovë me ish ministrin e Mjedisit nga radhët e BDI-së, Sadulla Duraku, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani për dallim prej javëve të tjera, kur zakonisht të dielave mban brifing me gazetarët, kësaj radhe zgjodhi të takojë banorët e lagjes Seravë në Çair të Shkupit.