Lëvizja Besa si duket u pendua për interpelancën ndaj zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi. Edhe pse dje nga struktura të larta të partisë jo zyrtarisht e konfirmuan një gjë të tillë, sot deputeti i Besës, Fadil Zendeli e hedh poshtë këtë gjë.
“Sot, dje nuk ka pasur ndonjë iniciativë të tillë dhe nuk kemi paralajmëruar se do të ngremë ndonjë interpelancë të kësaj natyre”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Zendeli thotë se nuk mund të merr përgjegjësi për informacionet që qarkulluan dje nëpër media për interpelancën e Besës kundër Grubit.
Megjithatë deputeti Zendeli nuk përjashton tërësisht idenë për interpelancë ndaj Grubit dhe ndaj çdo ministri tjetër të BDI-së, sepse sipas tij motive për interpelancë ka çdo ditë.
“Personi në fjalë, ministri në fjalë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim meritojnë interpelanca të përditshme për politikat e tyre të dështuara, për shumë aspekte të dështimit që i kemi brenda institucioneve, brenda shoqërisë tonë“, theksoi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Zendeli siguron se nuk ka asnjë mosmarrëveshje brenda partisë Besa, ndërkaq shton se nuk janë në kontakt me të ashtuquajturin “grupi i zjarrit” brenda BDI-së.
“Edhe si Lëvizja Besa, po edhe personalisht si deputet më tepër e shohim si një çështje e brendshme e BDI-së, çështje e pozicionimesh të brendshme dhe nuk shohim se ka diçka që ne si grupacion politik duhet të merremi me punët e brendshme të BDI-së. Për momentin e vlerësojmë se diçka të tillë, kur të ketë diçka të re nga ana e këtij grupi, që del jashtë kësaj që deri tash përfaqësojnë, atëherë mund të bisedojmë”, deklaroi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Jo zyrtarisht dje nga burime brenda Lëvizjes Besa u tha se të mërkurën interpelanca ndaj Grubit do t’i dorëzohet deputetëve të pakënaqur të BDI-së Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku.
