Besa kërkon hapësirën mediale për zgjedhje! Akuzon drejtorin e ASHMMAA-së për keqpërdorim të pozitës zyrtare!

TË FUNDIT

Lëvizja Besa akuzoi drejtorin e Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audiovizuele, Zoran Trajçeskin, se me veprimet e tij po punon në shërbim partiak, siç thonë, të regjimit të kaluar VMRO-BDI, duke tentuar që në çdo formë ta dëmtojnë Lëvizjen Besa. Nga kjo parti ankohen se po u mohohet minutazhi që u takon për reklamim si partia e dytë  më e madhe opozitare sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit.

“Urdhëresa e fundit që ka lëshuar ky agjencion, për ndarjen e minutazhit për partitë politike, edhe pse në përshkrimin thotë se 6 minutat i takojnë dy partive më të mëdha opozitare, të cilat në zgjedhjet e fundit për deputetë kanë fituar më shumë vota, agjencioni partiak i VMRO-DMPNE-së, urdhëron mediumeve që gjithë 6 minutat ti ndahen partisë e cila e ka zgjedhur Zoran Trajçeskin në postin e drejtorit”, deklaroi Hoxha.

TV21 kontaktoi drejtorin e Agjencisë për Shërbime Mediale, Zoran Trajçevskin. Ai tha se vendimin e ka marrë sipas dispozitave që i jep ligji, e jo sipas dëshirave të partive politike.

“ASHMAA nuk funksionon nën asnjë diktati të partive politike. Vendimet që i marrim janë të bazuara sipas ligjit ”, deklaroi Trajçevski.

Ndryshe ditë më parë Lëvizja Besa ngriti kallëzim penal kundër Agjencisë për Shërbime Mediale, Audio dhe Audiovizuele. Nga kjo e fundit reaguan duke shkruar se deklaratat për kallëzime penale nuk mund t’i kuptojnë ndryshe veç se si “përpjekje për presion ndaj Agjencisë”.