Berisha dhe Meta u pajtuan për aktivitet të fuqishëm opozitar kundër Qeverisë

TË FUNDIT

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka deklaruar sot se është takuar me ish-presidentin Ilir Meta, duke paralajmëruar se do të jenë bashkë në protestat e paralajmëruara të shtatorit.

Ai para gazetarëve, tha se me Metën, kanë rëndë dakort për “një aksion të fuqishëm opozitar për përballje me këtë regjim, që po shtrëngon çdo ditë e më shumë monizmin e tij në vend”.

“Jam takuar me Meta. Nuk kemi fiksuar datë për protestë. Kemi rënë dakord për një aksion të fuqishëm opozitar për përballje me këtë regjim, që po shtrëngon çdo ditë e më shumë monizmin e tij në vend, vjedhjet dhe plaçkitjet e qytetarëve shqiptarë dhe sundimin e krimit”, theksoi Berisha.

Ai shtoi se zhvillimet e dy ditëve të fundit kanë qenë zhvillime që në një shtet normal të kujtojnë grushte të pjesshme të shtetit.

“Ti je kryeministër, por nuk mund të heqësh drejtorin e Policisë së Shtetit pa motive të forta dhe publike. E heq atë, vetëm për qëllime të mbrapshta, kur nuk tregon motivet. Ti je kryeministër, por nuk mund të zëvendësosh drejtorin e SHISH pa shkarkuar drejtorin”, theksoi Berisha.

Ai ka përmendur edhe shembullin e drejtorit të Agjencisë kundër pastrimit të parave, i cili sipas tij, si të tjerët është shkarkuar pa arsye.

“Në mungesë të shkaqeve të shkarkimit, çdo qytetar ka të drejtë të besojë se kanë qenë arsye personale”, deklaroi Berisha.

Paraprakisht të dy kanë paralajmëruar protesta masive që do të nisin këtë muaj.