Belgjika regjistron rastin e parë me variantin “B1.1.529” të koronavirusit

TË FUNDIT

Belgjika ka konfirmuar më 26 nëntor rastin e parë me variantin e ri të koronavirusit. Varianti i ri, B1.1.529 ka detyruar shumë shtete që t’i mbyllin kufijtë pasi që rastet e para u paraqitën në Afrikën e Jugut.

Duke folur në një konferencë për media bashkë me kryeministrin belg, Alexander De Croo, ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke, tha se një person në Belgjikë rezultoi pozitiv me variantin e ri.

Derisa numri i personave të infektuar me COVID-19 është duke u rritur me shpejtësi, De Croo njoftoi se masat kundër pandemisë në Belgjikë po ashtu do të ashpërsohen. Ai shtoi se ndalesa për udhëtime nga shtetet jug-afrikane gjithashtu do të hyjë në fuqi.

Të premten e 26 nëntorit, De Croo tha se masa më të ashpra kundër pandemisë do të vendosen edhe për sektorin e gastronomisë. Derisa klubet e natës do të mbyllen tërësisht, restorantet e kafenetë do të mbyllen nga ora 23:00.

Sipas të dhënave të fundit nga autoriteti shëndetësor belg, Sciensano, më shumë se 25 mijë raste të reja në ditë po raportohen në Belgjikë, më shumë se në çfarëdo kohe tjetër që nga shpërthimi i pandemisë.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar të suspendohen të gjitha udhëtimet për dhe nga shtetet ku është identifikuar varianti i ri i koronavirusit.

Izraeli, Singapori dhe Maroku janë në mesin e dhjetë shteteve të fundit që ndaluan udhëtimet nga Afrika e Jugut nga 26 nëntori, derisa ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë takuan shkencëtarë jug-afrikanë për të diskutuar rreth rrezikut që paraqet varianti i ri.

Varianti më i ri i koronavirusit u identifikua fillimisht në Afrikë të Jugut dhe besohet se ka mutacione të shumta që do të mund të mposhtnin sistemin imunitar të njerëzve shumë më shpejt.

MARKETING I PAGUAR POLITIK