– Belgjika i ka dëbuar pesë aktivistë të së djathtës ekstreme për një vit për shkak të planeve të tyre për ta djegur Kuranin në pjesën myslimane të Brukselit.
Sekretari shtetëror për Azil, Sami Mahdi, e quajti këtë një “kërcënim serioz për rendin publik”, transmeton Bi-Bi-Si.
Sipas faqes së tyre në Fejsbuk, të pesë ishin bashkëpunëtorë të politikanit danez të ekstremit të djathtë, Rasmus Paludan.
Paludan të mërkurën u dëbua nga Franca pasi kishte shkruar në Fejsbuk më 30 tetor se i ka kumtuar konsullatës franceze në Kopenhagë se më 11 nëntor do ta djegë Kuranin përpara Harkut të Triumfit në Paris.
Në deklaratë nuk përmendet Paludan, por thuhet se “një tjetër burrë u arrestua kohët e fundit në Francë për të njëjtën arsye”.
Përkrahësit e Paludan në gusht në qytetin jugor suedez Malmo, gjithashtu, e dogjën Kuranin, duke shkaktuar protesta të dhunshme dhe përplasje me policinë.
