Televizioni 21 sot ka publikuar listën e të hyrave të supermarketeve për vitin 2021, ku këto të fundit kanë siguruar të paktën 700 milionë euro të hyra vetëm për vitin 2021 dhe mbi 25 milionë euro fitim.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i ftuar në Click Plus tha se këtë listë që ka publikuar Televizioni 21 është marrë si bazë për ngrirjen e çmimeve për produktet bazë. Ai tha nga ana tjetër se nuk është normale që këto supermarkete, që kanë fitime milionëshe, 99 % e fuqisë punëtore ta regjistrojnë me pagë minimale dhe pastaj të ankohen nëpër dhomat e tregtisë për këtë.
“Këtë listë që ju si TV21 e publikuat sot, e pashë para disa muajsh dhe ato shifra ishin bazë për mua kur më duhej të merrja një vendim për ngrirjen e çmimeve për produkte të caktuara.
E pashë listën dhe po e them sërish, këto supermarkete që bëjnë fitime miliona, nuk duhet të shfrytëzojnë punonjësit e tyre. Nuk mund të jetë kështu. Ka tregtarë që janë dënuar me 100 mijë euro gjobë. Disa nga këto supermarkete që janë gjobitur janë në listën tuaj që keni publikuar si medium. A e dini se në disa prej këtyre supermarketeve 99% e punonjësve ishin të regjistruar me pagë minimale.
1 supermarket ka vetëm 10 pika shitje, dhe ka 10 milionë euro fitim dhe më pas nëpër dhomat e tregtisë ankohen për pagën minimale”- tha Bekteshi.
