Bekteshi sqaroi se si do subvencionohen ndërmarrjet që do të punësojnë komunitete jomaqedonase

TË FUNDIT

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi ka sqaruar mënyrën se si do të subvencionohen ndërmarrjet private që do të punësojnë punëtorë të komuniteteve jomaqedonase. Ai edhe sot përsëriti qëndrimin se masa nuk do të vlejë vetëm për shqiptarët dhe nuk do t’u japë përparësi të njëjtëve gjatë punësimit.

Por, në rast se një punëtor jomaqedonas do të aplikojë në një konkurs dhe i plotëson kriteret, atëherë ndërmarrja nëse e rrit përqindjen e përfaqësimit etnik, do të subvencionohet nga Qeveria.

“Dje unë nuk thashë se me ribalancin e Buxhetit do të fillojë të realizohet ajo masë, mendova se me propozim-buxhetin e ardhshëm për vitin 2021 do të shqyrtojmë të miratojmë masa të këtilla. Edhe njëherë të përsëris dhe të jetë e qartë, se pe shoh se ka reagime kur flitet vetëm për shqiptarët kur duhet të punësohen dhe këtu nuk hynë vetëm shqiptarët, sepse po shoh se disa politikanë që nuk janë pjesë e Qeverisë, duket se nuk e dinë programin qeveritar dhe japin komente të tilla. Bëhet fjalë për të gjitha komunitetet në vendin tonë. Do të formulojmë masa të tilla që të përkrahim edhe sektorin privat, paralelisht të punojë në mënyrën si punon edhe sektori publik. Nuk flasim këtu se nëse ndonjë është i një komuniteti të caktuar, me automatizëm do të ketë përparësi gjatë punësimit. Sigurisht nëse ai i plotëson kriteret nga konkursi publik të ndërmarrjes, është i cilësuar për atë vend të punës, nëse pranohet nga menaxhmenti i ndërmarrjes, dhe nëse ai punësim e rrit përqindjen e ndërmarrjes në përfaqësim etnik të cilido komuniteti, atëherë në këtë mënyrë do të ndihmojmë edhe me subvencione shtesë ato ndërmarrje që do ta bëjnë atë në të ardhmen”, tha Bekteshi.

Masa nuk do të ketë përcaktime territoriale, do të vlejë për të gjithë shtetin dhe se për buxhetin për këtë masë do të definohet në mënyrë shtesë nga Ministria e Ekonomisë./TV21