-Nuk do të ketë kompromis në pjesën e vendimeve të Qeverisë për çmimet e produkteve ushqimore. Presim që të gjithë prodhuesit, shpërndarësit dhe importuesit t’i ulin çmimet në bazë të vendimit të Qeverisë, ndërsa zinxhirët e supermarketeve të mbajnë përgjegjësi shoqërore dhe ta zbatojnë vendimin, porositi sot ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Ne jemi këtu që t’u ndihmojmë që ta rrisin prodhimtarinë dhe të bëhen sa më konkurues në pjesën e mbulimit të tregut vendor, si dhe në të ardhmen të bëhemi eksportues në disa pjesë të sektorëve”, tha Bekteshi në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve gjatë vizitës së sotme në qumështoren më të madhe në vend “Bi-Milk” në Manastir.
Në lidhje me mbylljen e objekteve të cilët nuk e respektojnë vendimin tha se ndodh në përgjithësi në zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve.
“Nuk i kam mbikëqyrjet e sotme, por deri dje ishin mbyllur dhjetëra markete në Shkup, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Kavadar. Së paku deri më 30 nëntor, Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) do të veprojë në përputhje me vendimin e Qeverisë dhe në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit në fushën e mbrojtjes përfundimtare të konsumatorëve. Qëllimi i institucioneve të shtetit nuk është mbyllja e bizneseve, por kur shteti duhet të jetë rregullator mes bizneseve dhe konsumatorëve, të gjithë në zinxhir duhet t’i respektojnë këto masa. Nëse qytetarët, prodhuesit, distributorët janë përgjegjës në shoqëri, sigurisht që duhet të jenë edhe rrjetet e supermarketeve. Nëse nuk janë në shtet ligjor, ka mekanizma të tjerë”, theksoi Bekteshi.
Theksoi se Ministria e Ekonomisë tashmë ka dërguar shkresë për respektim të plotë të Ligjit për Mbrojtje të Konsumatorëve nga ana e inspektorëve të ISHT dhe shtoi se janë të gatshëm që në bazë ditore të bëjnë mbikëqyrje për mënyrën në të cilën bëhen kontrollet.
