Bekteshi: Po e ndjekim situatën me rritjen e çmimeve! Zaev: Nëse ka nevojë do të aktivizohen edhe rezervat shtetërore

TË FUNDIT

Nuk janë të sakta parashikimet se deri në fund të vitit do të kemi rritje prej 50% të çmimeve për produktet ushqimore, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Shtoi se po e ndjekin nga afër situatën dhe nëse ka rritje “shokuese” të çmimeve atëherë si ministri do të intervenojnë menjëherë me ngrirjen e çmimeve.

 “Nëse ka rritje të madhe të çmimeve ose “shok çmime” menjëherë do të veprojmë si ministri duke u thirrur në Ligjin për tregti dhe për shitje me shumicë dhe pakicë, njëjti siç kemi bërë vitin e kaluar ku nuk lejuam të kemi shok çmime me çka qytetarët do të paguajnë me shtrenjtë, e sidomos kur flasim për produkte bazë të cilët janë pjesë e shportës së konsumatorit”, tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ministri Bekteshi siguron se në fund vit nuk do të kemi as krizë energjetike.

 “Qëndroj mbrapa asaj se nuk do të kemi krizë energjetike në vendin tonë, duke marrë parasysh se po punojmë që t’i rrisim kapacitetet të prodhimit vendor me lëshim në përdorim të bllokut të tretë dhe kjo nënkupton se në periudhën e dimrit do t’i përmbushim nevojat e qytetarëve”, shtoi Bekteshi.

Kryeministri Zoran Zaev, pohoi se shteti financiarisht është në gjendje të qëndrueshme dhe janë të gatshëm të intervenojnë nëse vazhdon rritja e inflacionit dhe në rast se paraqitet nevoja, ekzekutivi do të aktivizojë edhe rezervat shtetërore.

 “Ashtu siç njoftuan edhe disa ministra, Qeveria gjithashtu me rezervat shtetërore gjithmonë është e gatshme që të intervenojë, nëse shohim se ndonjë cikël tregon pikun, që do të kishte ndikim në ekonominë në përgjithësi, sidomos në produktet bazë. Këtu flas për, vajin, miellin, qumështin, vezët dhe gjithçka që bën pjesë në shportën familjare”, potencoi kryeministri Zoran Zaev.

Vitin e kaluar, Ministria e Ekonomisë ngriu çmimin e limonit dhe portokallit për shkak të rritjes së vazhdueshëm të çmimit sepse janë produkte që importohen. Ndryshe, Banka Popullore dje njoftoi se do ta rishikojë normën e inflacionit dhe do ta rrisë atë nga 2.2 për qind e parashikuar deri më tani. Megjithatë, Banka Popullore thotë se rritja e çmimeve do të jetë e mesatare dhe nuk do të ketë ndikim të madh në çmimet përfundimtare dhe te konsumatorët.