Dalngadalë po nxehet debati për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vit. Sidomos në komunat ku po udhëheq opozita shqiptare. Kreu aktual i Gostivarit nga radhët e Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari është i bindur se BDI-ja në Gostivar është e shpartalluar. Ai shton se nuk e di nëse do të kandidoj sërish për kryetar komune por kush do që të jetë BDI-në do ta mposhtë.
“Nuk e di saktë, varet nga shumë rrethana, kisha dashur që të mos jem sepse në Gostivar BDI-ja gati se është e shpartalluar dhe mund të fitohet pa asnjë problem. Në zgjedhjet e fundit mes BDI-së dhe Aleancës ishte afër 4 mijë vota 50% më shumë vota”, deklaroi Arben Taravari – Kryetar i Komunës së Gostivarit.
Por, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në një intervistë për MIA, deklaroi se BDI-ja do të ketë kandidatë në të gjitha komunat shqiptare dhe beson se 95% prej tyre do t’i fitojnë.
Varësisht nga reagimet (përgjigjet) e tyre i krijojmë politikat. Do të kemi kryetarë në pothuajse të gjitha komunat me shumicë shqiptare në rajonin e Shkupit, por jam i bindur se edhe në Rajonin e Pollogut”, theksoi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.
Dy javë më parë në Click Plus, debati nga ekonomia kaloi në politikë. Elmi Aziri nga ASH-ja akuzoi BDI-në se mandatin nuk e kanë fituar por e kanë marrë. Bekteshi me kundërpërgjigje se ata janë fitues në të gjitha zonat me votues shqiptarë, madje duke ironizuar se në zgjedhjet e ardhshme lokale do ta lëshojnë Strugën “vetëm nëse kandidon”, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela.
Përgatiti: Armend Abazi
