Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi së bashku me drejtoreshën e Byrosë së Metrologjisë, Merita Mustafai dhe u.d. drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska Dimoska të enjten promovuan Laboratorin për testimin e cilësisë së mazutit, përcjell TV21. Bekteshi tha se me këtë investim për qytetarët dhe operatorët ekonomikë do të sigurohet cilësi më e madhe e derivateve të naftës.
“Me këto investime nuk do të duhet më shumë se dy orë që të kemi rezultatet e caktuara të cilët duhet të jenë në përputhje me Rregulloren e kualitetit të naftës dhe derivateve të naftës. Me këtë konsumatorët në Maqedoninë e Veriut por edhe operatorët ekonomikë do të përfitojnë në shpejtësinë e realizimit të procedurave, por njëkohësisht do të jenë edhe më të sigurt për kualitetin”, tha Bekteshi duke shtuar se njëkohësisht do të kujdesen edhe për ambientin jetësorë, pasi do të rriten inspekcionet rreth importit e naftës dhe benzinës.
