Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka njoftuar, se hetimet për mazutin e importuar në vend, kanë përfunduar. Si rezultat, janë kthyer cisterna, ndërkaq parregullsi janë evidentuar edhe brenda shtetit tonë.
Por se a ka pasur kontrolle ndaj lëndës së mazutit edhe para se të publikohet hulumtimi nga Laboratori i Reporterëve Investigativ.
“Ka pasur kontrolle edhe para publikimit të hulumtimit por nuk ka qenë e shfrytëzuar laboratori mobil, ka qenë i shfrytëzuar vetëm në një rast”, deklaroi Bekteshi.
Ushtruesja e detyrës së drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska-Dimoska ka bërë të ditur se deri në ora 14:00 janë kontrolluar tri pompa të benzinës për të kontrolluar cilësinë benzinës dhe dizelit.
“Sot fillojmë me kontroll të cilësisë së derivateve të naftës, duke shfrytëzuar laboratorin mobil dhe deri në fillim të preskonferencës, janë realizuar tre inspektime dhe pas preskonferencës ne i vazhdojmë inspektimet”, tha Simeska Dimoska.
Kontrolli vjen në kuadër të paralajmërimit të Ministrisë së Ekonomisë, për matjen e cilësisë së derivateve të naftës që importohet në vend.
Ministri Bekteshi tha se deri të martën do të kompletohen të gjitha analizat nga të gjitha derivatet e naftës.
